Sali Berisha, lideri historik i demokratëve, ka dalë sot në një konferencë për shtyp nga selia blu, duke denoncuar e kundërshtuar madje me forcë hartën e re gjyqësore në vend. Kreu i PD e konsideron reduktimin e gjykatave në Shqipëri si shkelje e të drejtave të njeriut, por edhe ndëshkim për qytetarët, që do të duhet të bëjnë më shumë kilometra për të kërkuar drejtësi:
“Harta e re e gjyqësorit e Edi Ramës është një ndëshkim i ri për qytetarët, një rrënim i të drejtës së qytetarëve për një proces të rregullt gjyqësor. Pas përgjysmimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me anë të vetingut, krijimit të një stoku dosjesh, Rama urdhëroi në një akt të papërgjegjshëm KLGJ-në e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi.
PD dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm, pasi ndëshkon dhjetëra e mijëra qytetarë, qindra e qindra avokatë dhe ekspertë. Mbi të gjitha ky projekt e përqendron vendimmarrjen në sistemin e drejtësisë në duart e dy-tre personave, të kryesuar nga i famshmi Sokol Sadushi.
Harta e re e gjyqësorit vjen në kundërshtim flagrant të rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, që kërkon shprehimisht që harta e gjyqësorit të marrë në konsideratë mendimet e grupit të interesit dhe të përmirësojë cilësinë në gjykata për procesin e duhur gjyqësor. Në të vërtetë, harta e re e hedh poshtë këtë kërkesë të rezolutës së Parlamentit Europian.
Me krijimin e një stoku prej 110 mijë dosjeve gjyqësore dhe mohimit ‘de facto’ të të drejtës për një proces të drejtë gjyqësor, Edi Rama urdhëroi në një akt të papërgjegjshëm KLGJ-në e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi.
Kështu, me hartën e re gjyqësore të Edi Ramës mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë; mbyllen 4 gjykata administrative dhe ngelet vetëm një gjykatë në Tiranë e një në Lushnje; mbyllen 5 gjykata të Apelit dhe mbetet vetëm Apeli i Tiranës. Praktikë, kjo praktikë është 100% e dështuar pasi u eksperimentua më 1999.
Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit që duhet të udhëtojnë qindra kilomentra rrugë për të shkuar në gjykatën tjetër. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut që dënohet me Kushtetutë. Mbyllja e shumë gjykatave cënon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit”.