Transmetuar më 12-06-2022, 23:52

Në Bruksel, shumë njerëz janë ende të shokuar për atë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në qendër të kryeqytetit të Evropës.

Mu tek dera e hotelit NH Collection, një shqiptar ka ndalur në vend një tjetër dhe e ka qëlluar me breshëri plumbash. Në foton kryesore shihni të plagosurin teksa i jepet ndihma e parë.

Plagët në shpinë dhe këmbë që pësoi 43 vjeçari shqiptar bënë që ai të dërgohej në spital ku pas ndërhyrjesh ende ndodhet në gjendje kritike.

Media belge HLN që citon noa.al, solli sot dëshminë e një gruaje që pa autorin e krimit. Në galeri shihni pamjet në vendngjarje.

Ajo tregoi se jo vetëm kishte dëshmitarë të shumtë, por edhe filmime të qarta nga kamerat e atjeshme.

Recepsioni i hotelit ka pamje nga vendi ku ndodhi incidenti. “Nuk e dimë kush është viktima, por kamera e sigurisë së hotelit filmoi gjithçka. Kolegu im e pa që ndodhi dhe është në shok”, thotë një punonjës i hotelit.

Sipas dy dëshmitarëve okularë që ndodheshin pak metra larg vendit në momentin e krimit, i plagosuri dhe autori ishin që të dy shqiptarë.

"Ata ishin dy burra të rritur, shqiptarë, njëri qëlloi tjetrin papritmas disa herë dhe më pas iku në një rrugë anësore në të majtë të hotelit. Ai ishte tullac, i shkurtër dhe trupmadh”, kujton gruaja dëshmitare.

Prokuroria ka caktuar një ekip hetues për vrasjen e mbetur në tentativë. Një ekspert balistike, një mjek ligjor dhe laboratori i policisë federale mbërritën në vendngjarje pasi policia e Brukselit vendosi një perimetër sigurie. Autori po gjurmohet. Hetimet po drejtohen nga seksioni i vrasjeve të Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës. /noa.al