Transmetuar më 08-06-2022, 20:19

Kosovë- Qeveria ‘Kurti’ nuk e mbështet ‘Open Balkan’.

Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i ftuar në një nga televizionet kosovare, është shprehur në lidhje me nismën Ballkani i Hapur, referuar edhe faktit që sot në Ohër është mbajtur takimi i radhës i liderëve ballkanikë.

Zulfaj e ka quajtur nisën një projekt politik.

“Kosova nuk është pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në këtë iniciativë sepse është dyfishim i panevojshëm”, është shprehur ai.

Këshilltari i Kurtit tha se kjo nismë që është prezantuar sot në Ohër, ishte vazhdimësi e asaj që pamë në Novi Sad me Mini-Schengenin që u shndërrua në Open Balkan, por rrënjët i kishte në vitin 2017 tek Unioni Doganor, të cilin e kishte prezantuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e për të cilën edhe ministri i jashtëm rus, Lavrov tha se ishte nismë e Serbisë.

Sipas Zulfajt, Serbia nuk e pranon si palë të barabartë Kosovën, prandaj nuk mund të marrim pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur.

“Ndërsa në procesin e Berlinit, jemi si palë e barabartë. Aty e kemi të garantuar barazinë, sepse jemi edhe me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, e kemi tregun e përbashkët rajonal me katër liritë dhe aty synojmë të arrijmë marrëveshjet”, tha ai.

Sipas tij, është pakuptueshme pse Shqipëria e shtyn përpara me krenari këtë iniciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës.

“Kryeministri Kurti, mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit e ka në mënyrë parimore, e kemi të bërë në secilin prej takimeve cilat janë dëmet dhe rreziqet që vijnë prej Serbisë në mënyrë të vazhdueshme, prandaj është pakuptueshme pse Shqipëria e shtynë përpara me krenari këtë iniciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Zulfaj.