Transmetuar më 03-06-2022, 06:05

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka rrëzuar kërkesën e Agon Channel kundër Shqipërisë për ‘shkeljen e lirisë së shprehjes dhe diskriminim’.

Agon Channel paditi Shqipërinë në 2015 duke akuzuar se AMA nuk e kishte ftuar në garë për ndarjen e frekuencave dixhitale të transmetimit mbarëkombëtare.

Për gjykatën e Strasburgut kjo kompani duhet që fillimisht t’i drejtohej Gjykatës Administrative Shqiptare për këtë çështje.

Lidhur me argumentet e Agon Channel se nuk kishte besim se do të ishte e suksesshme përpara gjykatave shqiptare, GJEDNJ argumentoi se “ekzistenca e dyshimeve nuk është një arsye e vlefshme".

Gjykata e Strasburgut u shpreh se kompania Agon Channel nuk kishte paraqitur asnjë ankesë para gjykatave kombëtare, duke vendosur kështu që aplikimi i tyre është i papranueshëm sipas kushteve të Konventës për të Drejtat e Njeriut.

Francesco Beccheti, i shpallur në kërkim nga Shqipëria që prej vitit 2015 u dënua në Gjykatën e Tiranës me 17 vite burg për krijimin një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash, përmes kompanive të tij.