Transmetuar më 22-05-2022, 22:41

Ka raporte në rritje se presidenti rus Putin vuan nga kanceri dhe po i nënshtrohet kimioterapisë dhe terapisë me steroide

Është çështje kohe largimi i Vladimir Putin nga presidenca e Rusisë, pohon ish-kreu i MI6 britanik, Sir Richard Dearlove. Ai drejtoi shërbimin sekret të Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1999 deri më 2004, raporton noa.al.

I njohur në vite si personi më i pushtetshëm i kundërspiunazhit britanik, Dearlove thotë se presidenti rus mund të trajtohet përfundimisht në një institucion ku dërgohen personat me sëmundje kronike.

Ky pohim vjen në një kohë kur ka raporte në rritje se presidenti Putin vuan nga kanceri dhe i nënshtrohet kimioterapisë dhe terapisë me steroide.

Megjithatë, dyshime të forta ka dhe se presidenti rus mund të vuajë nga Parkinson ose nga demenca në fazë të hershme.

Sir Richard Dearlove shprehet me bindje se gjithçka merr fund brenda 18 muajve të ardhshëm. Sipas tij, brenda kësaj periudhe, Vladimir Putin do të largohet nga Kremlini për trajtim mjekësor.

"Unë besoj se ai do të largohet deri në fund të vitit të ardhshëm dhe do të shtrohet në sanatorium dhe nuk do të kandidojë më për president të Rusisë," tha Dearlove në një deklaratë.

"Kjo është një mënyrë për të çuar gjërat përpara pa ndodhur një grusht shteti," shtoi ai. /noa.al