Transmetuar më 21-05-2022, 23:18

Psikologe Marsela Lekli – fakte të rëndësishme për shëndetin mendor:  «Ç’rregullimet mendore prekin qindra milionë njerëz në çdo pjesë të botës dhe ndikojnë në jetën e të afërmve. Një në katër veta preket nga ndonjë çrregullim mendor në një moment të jetës. Depresioni është kontribuesi kryesor i paaftësisë në mbarë botën. Skizofrenia dhe çrregullimi bipolar janë ndër çrregullimet më të rënda që shkaktojnë paaftësi. . . . Ndonëse prekin një numër marramendës njerëzish, çrregullimet mendore mbahen fshehur, lihen pas dore dhe paragjykohen.»

Të kuptojmë ç’rregullimet mendore Çfarë janë sëmundjet mendore? Specialistët i përkufizojnë çrregullimet mendore si mosfunksionim serioz në mënyrën e të menduarit të dikujt, në kontrollimin e ndjenjave dhe në sjellje. Kjo gjendje shpesh e pengon personin në marrëdhëniet me të tjerët dhe të përballojë sfidat e jetës.

Shkalla e simptomave mund të ndryshojë për nga kohëzgjatja dhe intensiteti, në varësi të individit dhe të sëmundjes specifike e rrethanave. Mund të preken njerëz të çdo gjinie, moshe, kulture, race, feje ose arsimimi dhe gjendjeje ekonomike. Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri. Me anë të kujdesit të duhur shëndetësor, individët mund të kurohen e të bëjnë jetë normale e me kuptim.

Të kurojmë ç’rregullimet mendore Specialistët e shëndetit mendor mund të kurojnë shumë çrregullime mendore. Prandaj, hapi i parë jetësor është të bëjmë një konsultë të hollësishme me një specialist kompetent që ka përvojë në kurimin e sëmundjeve mendore. Sidoqoftë, kush vuan, do të përfitojë vetëm nëse pranon trajtimin e përshtatshëm. Për këtë mund t’i duhet të mos ngurrojë të flasë me të tjerët për çrregullimin mendor. Trajtimi mund të përfshijë biseda me specialistë të trajnuar të shëndetit mendor që mund ta ndihmojnë të kuptojë sëmundjen, të zgjidhë problemet e jetës së përditshme dhe ta bindin sa e domosdoshme është të mos heqë dorë nga mjekimi. Gjatë konsultave, një familjar ose mik mund të luajë rol jetësor duke i dhënë siguri dhe mbështetje.

Shumë njerëz kanë mësuar t’i përballojnë çrregullimet mendore pasi kanë kuptuar më mirë gjendjen e tyre dhe pasi kanë ndjekur kurën e rekomanduar nga specialistët e shëndetit mendor. Marku, i përmendur në fillim, thotë: «Para se gruaja të diagnostikohej, nuk dinim shumë për sëmundjet mendore. Por kemi mësuar t’i përballojmë me qetësi problemet njëri pas tjetrit e të përshtatemi me situatën tonë. Me kalimin e kohës, kemi nxjerrë dobi nga mbështetja e specialistëve të besueshëm si edhe nga familjarët e miqtë.»

SI T’I PËRBALLOSH ÇRREGULLIMET MENDORE 1. Ndiq trajtimin që të kanë rekomanduar specialistët e kualifikuar të shëndetit mendor. 2. Mbaj një program ditor të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm. 3. Merru me aktivitete fizike. 4. Fli mjaftueshëm. 5. Lër kohë çdo ditë që të çlodhesh. 6. Ha shëndetshëm dhe me ekuilibër. 7. Kufizo pijet alkoolike dhe ilaçet që nuk përfshihen në recetën tënde. 8. Mos u veço; kalo kohë me njerëz që u zë besë dhe që ta duan të mirën. 9. Kushtoji vëmendje nevojës për të mësuar për Zotin.