Transmetuar më 21-05-2022, 12:13

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka analizuar rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian dy ditë më parë. Në konkluzionet e nënvizuara nga Meta ka shumë kritika dhe tërheqje veshi për qeveritarët tanë, në shumë fusha:

“Dua të vlerësoj sot rezolutën e miratuar dy ditë më parë në Parlamentin Europian, me shumicë votash. Dua të vlerësoj mbështetjen e gjerë politike ndaj perspektivës për anëtarësim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në BE, por njëkohësisht edhe gjuhën e drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës në vendin tonë dhe të atyre detyrave që priten të përmbushen nga Shqipëria në vazhdim.

Kjo rezolutë shpreh shqetësimin serioz për klimën e polarizuar politike dhe mungesën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërpartiak.

Kujton rëndësinë e ndërtimit të konsensusit të nevojshëm ndërmjet të gjithë aktorëve.

Shpreh keqardhje për ndryshimet jokonsensuale të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor nga mazhoranca qeverisëse përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

I bën thirrje politikës shqiptare të tregojë pjekuri në trajtimin e çështjeve me interes publik, të rrisë demokracinë dhe integritetin konkurrues brenda partiak.

Rikujton nevojën për të adresuar mangësitë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Shpreh keqardhjen për mungesën e dënimeve përfundimtare të niveleve të larta në rastet e blerjes së votës. Rikujton përgjegjësinë e autoriteteve qendrore dhe vendore për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe gjithpërfshirje.

Ideja e Macron për vendet aspirante të BE? Idetë që hidhen nga individë të caktuar, pavarësisht nga funksionet që mbajnë, janë interesante. Mendoj se më të rëndësishme janë këto detyrime të shkruara nga institucione më të larta të BE, që zgjedhin këto zyrtarë dhe iu kërkojnë llogari. Këto detyrime janë të pashmangshme për një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

Këshillë për opozitën gjatë zgjedhjes së presidentit të ri? Nuk kam asnjë këshillë për opozitën, sepse ka bërë gabime fatale, pjesa kryesore e saj me ndërgjegje të plotë, një pjesë tjetër aq e pati thellësinë e gjykimit, siç ishte djegia e mandative, bojkotoi i zgjedhjeve dhe bojkoti i reformës në drejtësi.

Këto nuk janë gabime, por krime që nuk bëhen një herë në katër vjet, por një herë në 100 vite. Nuk kam asnjë kuriozitet për procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm. Nuk kam asnjë merak që edhe këtë kështjellë (presidencën) do ta ketë mazhoranca. Ka qenë kështjellë e rrethuar nga pjella më të pabesa.

Por, në momentin kur është thirrur, populli i ka rrethuar dhe ata janë tërhequr përkohësisht nga vendimet e tyre. Unë nuk kam aftësi çudibërëse. Përderisa ata aktorë ishin të vendosur t’ia jepnin pushtetet një qeverie gangstere, prandaj jemi këtu, ku listohen problemet që nuk i raporton media.

Media raporton negociata false dhe procese farsë që shqiptarët të harrojnë problemet e tyre. Kam përgjegjësinë ta kryej këtë detyrë me përgjegjshmëri deri më 24 korrik, më pas e ka presdenti/ tja e re. Pas 24 korrikut do të jem qytetar i devotshëm dhe ushtar i paparë i mbrotjes së vlerave shqiptare”.