Transmetuar më 21-05-2022, 10:34

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, dalin prova të reja për mizoritë e kryera nga ushtarët rusë në Bucha, qytet në veriperëndim të Kievit. Një video e publikuar nga “New York Times” tregon se si rusët ekzekutuan të paktën 8 civilë në periferi të kryeqytetit.

Filmimet datojnë më 4 mars. Në pamje mund të shihni forcat ruse që kapin një grup burrash ukrainas, të cilët vihen në radhë drejt një oborri ku pak kohë më pas do të ekzekutohen. 9 prej tyre ecin të përkulur, me një krah mbi kokë dhe me dorën tjetër mbahen te rripi i partnerit përpara.

Videot janë xhiruar nga një kamera sigurie dhe një dëshmitar në një shtëpi aty pranë. Në pamjet e fundit është e pamundur të mos vëresh ushtarët rusë që i çojnë burrat ukrainas pas një ndërtese aty pranë, ku dëgjohen të shtëna armësh.

Një video tjetër e filmuar nga një dron më 5 mars siguron gjithashtu dëshminë e parë vizuale, që konfirmon dëshminë e dëshmitarëve. “Ajo tregon trupat e pajetë në tokë në anën e së njëjtës ndërtesë, – shpjegoi gazeta amerikane, – ndërsa dy ushtarë rusë janë aty pranë, bëjnë roje”.