Transmetuar më 21-05-2022, 10:06

Sot është ditë pushimi për Partinë Demokratike, nëse i referohemi fushatës për zgjedhjen e kreut të ri të saj. Nesër do të votohet në të gjithë vendin, për të zgjedhur njërin mes Sali Berishës dhe Ibsen Elezit në krye të demokratëve.

Shanset maksimale janë për rikthimin e liderit historik, Berisha, i cili ka bërë këtë thirrje sot, përmes rrjeteve sociale: “Një thirrje zemre për të gjithë ju miq. Pasioni ynë është liria e shqiptarëve. Ne e vazhdojmë këtë betejë, e vazhdojmë këtë mision më të vendosur se kurrë.

E vazhdojmë si një lëvizje e fuqishme e udhëhequr nga PD, si një lëvizje e fuqishme që do të bëjë më vete çdo shqiptar që beson tek ky vend, që do që ky vend të bëhet nga shqiptarët, që vendos t’i thotë vetes “të bashkohem me këtë lëvizje” – “të mos them më kurrë ç’më duhet mua” – “të mos them më kurrë s’ke ç’i bën”.

Kemi çfarë t’i bëjmë dhe e përmbysim me siguri! Kemi çfarë t’i bëjmë dhe e ndryshojmë këtë gjendje, e rikthejmë Shqipërinë në rrugën e saj, se Shqipëria po ecën në drejtim të gabuar. Hajde t’i bindim, të trokasim në zemrat e tyre , me urtësi, me mençuri, me njerëzi! Të bashkohen me ne”.