Transmetuar më 20-05-2022, 21:17

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbyllur fushatën e tij elektorale ditën e sotme në qytetin e Vlorës, ku para takimit me anëtarët e partisë Demokratike, ish kryedemokrati bëri nderime tek busti i Hasan Prishtinës.

Në takimin me demokratët e Vlorës, Berisha theksoi sërish problematikat që ai tha se ka sjellë qeverisja e Edi Ramës përgjatë këtyre 9 viteve, duke u ndalur edhe tek përçarja e shkaktuar brenda partisë Demokratike.

Berisha më tej u bëri thirrje thirrje të gjithë demokratëve që të merrnin pjesë sa më shumë në votimet për kreun e ri që pritet të zgjidhet të dielën në 22 maj.

“Ju bëj thirrje të merrni pjesë në procesin e votimit dhe të votojnë të lirë. Por pjesëmarrja në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme për partinë Demokratike dhe të ardhmen e këtij vendi”-tha Berisha.

Ish-kryeministri ka zhvilluar takime elektorale me mbështetësit e tij përgjatë nëntë ditëve me rradhë.

Ndërkohë që kundërshtari i cili kandidon përballë tij, Ibsen Elezi ka kërkuar që të shtyhen zgjedhjet për shkak se sipas tij koha e vënë në dispozicion për takimet nuk ishte e mjaftueshme dhe se ishin kryer shkelje të rënda të statutit të PD.