Transmetuar më 20-05-2022, 16:35

Diplomati i lartë kinez Yang Jiechi i paralajmëroi të mërkurën Shtetet e Bashkuara që të mos luajnë me "kartën e Tajvanit" dhe të mos ecin më tej në rrugën e gabuar. Ai theksoi se Kina do të ndërmarrë veprime të vendosura për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë.

Yang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të PKK-së, i bëri këto komente në një bisedë telefonike me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan, me kërkesën e këtij të fundit.

Yang tha se të dy vendet duhet të zbatojnë me përkushtim konsensusin e rëndësishëm të arritur ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan Joe Biden për marrëdhëniet Kinë-ShBA.

Kohët e fundit, të dy palët kanë zhvilluar dialog në fusha të ndryshme, duke përfshirë ushtrinë, ndryshimin e klimës, shëndetësinë dhe bujqësinë, të cilat janë të dobishme dhe kjo prirje duhet të ruhet, tha Yang.

Megjithatë, shtoi ai, duhet theksuar se prej disa kohësh, ShBA-ja ka bërë një sërë deklaratash dhe veprimesh të gabuara që ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës dhe dëmtojnë interesat e saj, prandaj pala kineze i kundërshton ato me vendosmëri dhe u është kundërpërgjigjur fuqimisht, tha Yang.

Ai i kërkoi ShBA-së që të përputhë fjalët me veprimet, t’i kthejë angazhimet e saj në politika e veprime konkrete, të bashkëpunojë me Kinën, të menaxhojë siç duhet dallimet dypalëshe dhe të bëjë gjëra konstruktive për t’i rikthyer marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Çështja e Tajvanit është problemi më i rëndësishëm, më i ndjeshëm dhe më thelbësor në marrëdhëniet Kinë-ShBA, theksoi ai, duke shtuar se pala amerikane e ka bërë të qartë në shumë raste se ndjek politikën e “Një Kine” dhe nuk mbështet "pavarësinë e Tajvanit".

Megjithatë, veprimet dhe deklaratat e fundit të ShBA-së për çështjen e Tajvanit janë krejt të ndryshme, tha Wang, duke vënë në dukje se, nëse pala amerikane vazhdon të luajë me "kartën e Tajvanit" dhe të ecë më tej në rrugën e gabuar, do ta vërë gjendjen në rrezik serioz.

Pekini i kërkon Uashingtonit ta kuptojë situatën, të respektojë rreptësisht angazhimet dhe t’i përmbahet parimit të “Një Kine” e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane.

Kina do të ndërmarrë veprime të vendosura për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë dhe pala amerikane duhet të jetë e sigurt që Kina do ta mbajë premtimin e saj, i tha Wang Sullivanit.

Kërkimi i paqes, bashkëpunimit dhe zhvillimit është prirja e përgjithshme në rajonin e Azi-Paqësorit dhe aspirata e përbashkët e njerëzve, tha diplomati i lartë kinez. Ai vuri në dukje se, duke u mbështetur në parimin e saj të miqësisë, sinqeritetit, përfitimeve të ndërsjella dhe përfshirjes, Kina ka zhvilluar marrëdhënie miqësore me vendet fqinje, duke synuar interesat e përbashkët dhe duke ndarë të njëjtin fat me ta.

Çdo akt që minon interesat themelore dhe afatgjata të vendeve të rajonit për interesa egoistë është një rrugë pa krye, dhe çdo përpjekje për të formuar kampe dhe kundërvënie do të dështojë, shtoi ai.

Wang dhe Sullivan shkëmbyen gjithashtu mendime për situatën në Ukrainë dhe në Gadishullin Korean, si edhe për çështje të tjera ndërkombëtare e rajonale.