Transmetuar më 19-05-2022, 15:46

Suedi- Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Suedi dhe Itali.

Sipas zyrtarëve suedezë thuhet se i infektuari është një person që jeton në Stokholm, ndërkohë ekspertët po hetojnë nëse ka edhe raste të tjera infeksionesh në vend.

Njoftimet zyrtare bëjnë me dije se nuk është zbuluar ende mënyra se i infektuari ka rënë në kontakt me virusin, ndërsa mësohet se po trajtohet në spital.

Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.

Për sa i përket vendit fqinj, mjekët në spitalin e sëmundjeve infektive kanë diagnostikuar rastin e parë në Itali.

Bëhet fjalë për një të ri, i cili së fundmi ishte kthyer nga pushimet në ishujt Kanarie.

I infektuari ndodhet në izolim, deri më tani gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.

Kujtojmë se më herët SHBA-të gjithashtu raportuan rastin e parë të infeksionit në vend.

Zyrtarët shëndetësorë në SHBA thanë se janë në kontakt me zyrtarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada si pjesë e hetimit. Rasti në SHBA nuk paraqet rrezik dhe burri është shtruar në spital, por ndodhet në gjendje të mirë, thanë zyrtarët.

Megjithatë, hetuesit në Europë thonë se shumica e rasteve janë raportuar te meshkujt homoseksualë ose biseksualë. noa.al