Transmetuar më 19-05-2022, 09:38

Lirohet para kohe nga burgu bosi shqiptar i “Pharma bro” në SHBA, Martin Shkreli. Ai po vuante një dënim prej shtatë vitesh, pasi u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në vitin 2017. Lirimi u bë publik pasi fotot e tij qarkulluan në rrjetet sociale.

Shkreli është zhvendosur në një burg federal të sigurisë së ulët, në një banesë ish-të burgosurish në gjendje gjysëm-lirie (mund të lëvizë lirisht në lagje, me kushtin për të mos bërë asnjë shkelje ligjoire).

Në shtator, ai mund të lirohet plotësisht. “Kjo erdhi pasi ai kishte merituar me sjelljen e mirë të gjitha programet që lejonin shkurtimin e dënimit të tij me burg”, – tha avokati Benjamin Brafman.

Shkreli u dënua në vitin 2017 për gënjeshtra ndaj investitorëve në lidhje me performancën e dy fondeve që ai drejtonte. Ai duhej të lirohej nga burgu në vitin 2023. Kërkesat e mëparshme për lirim të parakohshëm ishin refuzuar.

Gjyqi pasoi famën që Shkreli kishte fituar në vitin 2015, teksa kompania që ai drejtonte ngriti çmimin e ilaçit të krijuar prej kohësh “Daraprim” nga 13.50 dollarë në 750 dollarë, i cili përdoret për trajtimin e infeksioneve parazitare.

Kjo lëvizje jopopullore dhe lloji si u mbrojt, diçka e pafalshme, i dha atij pseudonimin "Pharma bro". Në fillim të këtij viti, një gjykatës i Manhattan-it zbuloi gjithashtu se mënyrat se si orkestroi për të penguar konkurrentët të prodhonin ilaçin, kishin shkelur ligjet e konkurrencës në SHBA. Ai u pezullua nga industria farmaceutike përgjithmonë dhe u urdhërua të paguante 64.6 milionë dollarë.

Kush është Martin Shkreli? Shkreli është një nga themeluesit e parë të kompanisë “MSMB Capital” me bazë në New York, i Retrophin, Inc dhe themelues i “Turing Pharmaceuticals AG”. Ai është bashkëthemelues dhe kryeshef ekzekutiv i “Retrophin LLC”, një firmë bioteknologjike e themeluar në vitin 2011.

Shkreli është i njohur si një investitor dhe aktivist që ka “luftuar” me miliarderët dhe drejtuesit e industrisë së prodhimit të ilaçeve në SHBA. Për këtë e pa veten në qendër të sulmeve në Amerikë, për shkak të një ilaçi jetik në luftën kundër kancerit dhe SIDA-s, çmimin e të cilit e rriti 5000%.