Transmetuar më 19-05-2022, 07:56

Tiranë- Leku u forcua kundrejt të gjitha valutave kryesore ditën e mërkurë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Leku fitoi terren sërish në kursin e këmbimit me Euron dhe u këmbye me 120.4 Lekë, duke qëndruar pranë niveleve më të ulëta historike.

Tregu nuk po shfaq shumë kërkesë për monedhën europiane, ndërsa oferta e saj në treg po rritet me afrimin e sezonit turistik dhe me rritjen e flukseve hyrëse të vizitorëve të huaj.

Një ndikim pozitiv besohet se po jep rritja e eksporteve gjatë muajve të fundit, e nxitur sidomos nga rritja e çmimit të lëndëve të para dhe sidomos e naftës bruto në tregjet e huaja. Deri tani, inflacioni i lartë që ka mbërthyer ekonominë botërore nuk ka dhënë goditje në kursin e këmbimit të Lekut me Euron, megjithëse në dy tremujorët e fundit është shënuar një rritje e deficitit tregtar të vendit.

Zakonisht, kursi i këmbimit Euro-Lek i shënon nivelet më të ulëta vjetore në periudhën korrik-gusht, ndaj është shumë e mundshme që këtë vit Euro të prekë një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me Lekun.

Dollari Amerikan humbi pothuajse 0.6 pikë dhe zbriti në nivelin e 114.44 Lekëve, ndërkohë që Paundi Britanik humbi gati një pikë e gjysmë dhe u këmbye me 141.91 Lekë.