Transmetuar më 18-05-2022, 23:03

Dhërmi – Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga deti të dy personave të cilët rrezikonin të mbyteshin së bashku me mjetin e tyre lundrues.

Gjithçka u mësua pasi sonte rreth orës 20.00, Salla Operative e Komisariatit të Policise Himarë, u njoftua për rrezik jete për dy persona.

Në vijim u zbardh se në vendin e quajtur "Rrugët e bardha", në Palasë, dy shtetas të cilët ishin duke lundruar në det me një gomone me lopata.

Ata po rrezikoheshin dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg për shkak të rrymave të forta detare.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi u nisën në ndihmë të tyre dhe pas kërkimeve të shumta, arritën t’i konstatonin rreth 2 milje përballe bregut të dy djemtë,

S. B., 28 vjeç, dhe V. A., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Menjëherë nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, u bë e mundur nxjerrja e tyre në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. /noa.al