Transmetuar më 18-05-2022, 19:28

Tiranë- Opozita ka bërë publike sot një nga emrat si kandidat i mundshëm për President. Ai është Dashamir Shehi, deputet për disa legjislatura dhe ish zëvendëskryeministër në qeverinë e Berishës.

Dy nga deputetët e opozitës, Fatmir Mediu dhe Agron Duka, kanë diskutuar si një propozim të mundshëm për President të Republikës së Shqipërisë emrin e tij.

I kontaktuar nga mediat, Shehi u shpreh falënderues ndaj kolegëve për propozimin, por shtoi se kjo mbetet një hipotezë, pasi janë dhe grupet e tjera në parlament që përfaqësojnë dhe ato opozitën dhe që sipas tij do të paraqesin emrat e tyre.

Shehi theksoi se nëse palët do të propozonin emrin e tij, ai do e mirëpriste, por në fund do të jetë Rama dhe mazhoranca ata që do të vendosin për zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Janë të gjitha manovra, nuk merremi ne me këtë. Ne kemi detyrimin për të propozuar një emër, unë i falënderoj, por kjo është një hipotezë politike. Në dorë e ka Rama. Të shohim kë do të propozojë PD e ndarë në dy pjesë. Nëse i pëlqej popullit opozitar le të më votojnë, por siç e thashë janë të gjitha manovra politike”, deklaroi Shehi.