Transmetuar më 18-05-2022, 13:48

U zhvillua sot mbledhja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ku u analizua lufta kundër korrupsionit si një nga kushtet e BE për të bërë hapa në integrimin e vendit tonë.

Në të mori pjesë edhe kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, për të cilin pati pyetje konkrete nga deputetët. Konkretisht, Jorida Tabaku, deputete e PD kërkoi të dijë nëse ka nën hetim deputetë apo zyrtarë të lartë për çështje të ndryshme, sidomos për inceneratorët.

Kraja ua preu shkurt ligjvënësve, duke refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve konkrete, pasi kështu e parashikon ligji i miratuar nga vetë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë:

“Nuk do të jap asnjë përgjigje për çështje konkrete, kjo është e shkruar në ligj, ndaj dhe nuk do të jap as përgjigje dhe as do të bëj komente. Unë do të respektoj ligjin që keni miratuar ju. Ne i jemi referuar gjithmonë zbatimit të rekomandimeve për vitin 2021.

Rekomandimet janë dhënë në tetor dhe dhjetor për fushën e prokurorisë kundër korrupsionit. Gjatë vitit 2021 dhe fillimit të këtij viti janë kryer hetime dhe po hetohen persona me funksione të larta shtetërore.

SPAK ka në fokusin e saj zbatimin e rekomandimeve. Po të referohemi më saktësisht, në rekomandime thuhet se duhet garantuar zbatimi i ligjit. Jemi munduar të kryejmë sa më shumë hetime. Kemi bashkëpunuar me struktura ligjzbatuese brenda vendit.

Koncepti i hetimit proaktiv nuk është vetëm fillimi i hetimit kryesisht, por që t’i të hetosh pa e ditur tjetri që po hetohet. 80% e rasteve që kemi në dorë janë hetime proaktive, pra personat përkatës nuk e dinë këtë fakt.

Në mënyrë të detajuar unë i kam dhënë shifrat. Janë dërguar për gjykim 11 procedime penale. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë të përkushtuar për të hetuar çdo rast".