Transmetuar më 18-05-2022, 13:00

Kaosi që është krijuar dhe pritet të shtohet ditët në vijim në Tiranë për shkak të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, ka detyruar qeverinë që të dalë me një vendim të ri.

Data 25 maj është vendosur të shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet publike që janë pjesë e qarkut të Tiranës.

Ministri Bledi Çuçi tha se data 25 maj, do të jetë pushim për këtë qark.

"Kjo masë merret si masë për një ngjarje siç është finalja e konferencës së Ligës, ku presim një fluks të njerëzve që vijnë”, tha ministri.

V E N D I M PËR

CAKTIMIN E DITËS SË MËRKURË, DATË 25.5.2022, DITË PUSHIMI

Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e ditës së mërkurë, datë 25.5.2022, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore, të institucioneve me seli në Qarkun e Tiranës, me përjashtim të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, shërbimit zjarrfikës, dhe punonjësve të sistemit shëndetësor.

2. Dita e punës e datës 25.5.2022 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda këtij viti.

3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA