Transmetuar më 18-05-2022, 09:15

Marash Kumbulla, mbrojtësi shqiptar i Romës, ka publikuar një letër në “Corriere dello Sport”, në të cilën fliste për finalen e Ligës së Konferencës që do të luhet në Tiranën e tij më 25 maj. Këtu është një fragment i saj:

“Po ju them sinqerisht, mezi po e pres këtë finale. Në fillim të sezonit, kur mësova se finalja do të luhej në Tiranë, i vendosa objektiv vetes që ta arrija atë. Për mua që kam lindur në Itali, në një familje shqiptare, ishte si shenjë fati.

Fatmirësisht ëndrrat realizohen. Dhe tani na mbetet neve ta përfundojmë punën e derikëtushme, duke mundur Feyenoord-in, edhe pse e dimë që nuk do jetë e lehtë. Për shqiptarët kjo finale përfaqëson një mundësi.

Dhe e di me siguri se mikpritja e tyre do të jetë shembullore. Ata kanë krijuar një lidhje shumë solide me italianët. Në Tiranë, përveç tifozëve të Feyenoord-it, që do të mbështesin me të drejtë ekipin e tyre, do të kemi një pjesë të madhe të publikut nga ana jonë.

Edhe kryeministri ynë është i dashuruar me Mourinhon. Do të ishte mirë, do të isha gënjeshtar po të thoja se nuk shpresoj ta luaj këtë ndeshje, të paktën për disa minuta. Sidoqoftë, vendimi përfundimtar varet nga trajneri, neve na takon ta respektojmë gjithmonë”.