Transmetuar më 18-05-2022, 07:42

Vjenë- Situata e krijuar nga lufta në Ukrainë bëri që Suedia dhe Finlanda të nxitojnë të futen në NATO. Por a do të ndërmarrë të njëjtin hap edhe Austria?

Kancelari i Austrisë Karl Nehammer ka përsëritur se vendi i tij, i cili nuk është i lidhur me asnjë aleancë ushtarake, nuk ka ndërmend të bashkohet me NATO-n.

Duke folur pas një takimi në Pragë me homologun e tij çek Petr Fiala, Nehammer tha se historia e Austrisë ishte e ndryshme nga ajo e Finlandës dhe Suedisë dhe se do të ruante neutralitetin e saj ushtarak.

Megjithatë, ai tha se vendi i tij, si një anëtar i Bashkimit Evropian, tregoi solidaritet me Ukrainën duke lejuar dërgesat e armëve në Kiev dhe mbështeti sanksionet kundër Rusisë.

Fiala tha se homologu i tij austriak kishte mbështetur idenë e zgjerimit të kapacitetit të tubacionit të naftës Transalpine (TAL), i cili furnizon rafineritë në Austri, Gjermani dhe Republikën Çeke nga një terminal në portin italian të Triestes.

Zyrtarët çekë kanë thënë se tubacioni TAL mund të furnizojë përfundimisht naftë të mjaftueshme – në rast të një embargoje të BE-së ndaj importeve ruse.