Transmetuar më 17-05-2022, 22:29

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka hartuar një plan shpërndarjeje parash për kompanitë e ndërtimit, në një vlerë rreth 100 miliardë lekë ose 80 milionë euro.

Paratë do të jepen përmes subvencionimit me 30 për qind të vlerës së materialeve të ndërtimit në kontratat e punëve publike.

Jo vetëm kaq, por kompanitë private do të marrin para edhe për fatura që datojnë nga 1 janari i vitit 2020 e deri te kontratat që janë ende në proces.

Kjo do të thotë se kompanitë e ndërtimit që marrin tenderë shteti, jo vetëm do të përfitojnë si zakonisht, por do të marrin para shtesë për materialet e ndërtimit që kanë raportuar dhe do të raportojnë se kanë shpenzuar për punët që kanë fituar në tenderë.

Euronews thotë se dy kategoritë kryesore që do të përfitojnë nga këto fonde janë ndërtuesit e rrugëve dhe kompanitë e rindërtimit.

Kompanitë e ndërtimit do të marrin para shtesë pasi buxheti i shtetit do të paguajë 30 për qind më shumë për çmimin e hekurit, bitumit dhe çimentos.

Biznesi më fitimprurës prej vitesh në Shqipëri mbetet ndërtimi. Kompanitë marrin miliarda nga shteti për punë të ndryshme dhe nga ana tjetër marrin miliarda të tjera në ndërtim banesash, parimesh dhe dyqanesh. Çmimet e banesave janë rritur në mënyrë spekulative në vend, sidomos në Tiranë, ku tashmë nuk gjen më apartamente nën 1 mijë euro metri katror edhe në periferi dhe në zona qendrore, deri katër herë më shtrenjtë.

Eksperti i njohur, prof. Elvin Meka, komenton lëvizjen e qeverisë dhe e konsideron të papranueshme që këto biznese të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga shteti.

"Pra me TVSH-në e rritur që kanë paguar shqiptarët e mjerë për të blerë miell, vaj, sheqer, oriz, vezë e bulmet, duke i rrjepur edhe më keq xhepat e shpuar të shqiptarëve, do të paguhen kostot e shtuara të ndërtuesve!!!

Pra bosët duhet të kompensohen për çmimet e rritura, madje edhe gjatë kohës kur nuk ishin të rritura, kurse populli i thjeshtë duhet detyrimisht të paguaje një më një taksat mbi çmimet e shtuara, e madje do të duhet të paguajë ekstra çmimin e energjisë elektrike po qe se konsumon mbi 700 kwh!!!

Për më tepër, do të na bëhet skaneri i pagës, makinës, shtëpisë, barit ku pimë kafe, shoppingu kur blejmë brisqe rroje, apo çorape, apo kur shkojmë me pushime!!!"