Transmetuar më 17-05-2022, 12:30

Presidenti Ilir Meta doli sot në konferencë shtypi, ku dënoi marrëveshjen e 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, e cila sipas tij na ka sjellë në këtë situatë:

“Ajo marrëveshje e turpshme dhe tinëzare e realizuar në errësirë të plotë 5 vite më parë, tashmë është ekspozuar në dritën përvëluese të diellit për qytetarët e Shqipërisë.

Ajo nuk ishte një marrëveshje vetëm kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por vijoi edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe më pas. Jo vetëm kaq, por ajo vijoi përgjatë 5 viteve dhe gëlon ende.

Djegia e mandateve parlamentare të opozitës ishte pjesë e kësaj marrëveshje, duke i garantuar pushtetin kapjen e plotë të të gjithë pushteteve. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe bojkoti i zgjedhjeve vendore, duke i ofruar partisë-shtet kontrollin mbi të gjitha bashkitë dhe këshillat bashkiake.

Pjesë e asaj marrëveshje ishte edhe mos-regjistrimi i PD në KQZ më 13 tetor 2019. Ishte pjesë e asaj marrëveshje që të kalonin me nxitim dhjetëra koncesione korruptive, pronat e shqiptarëve shkuan si dhuratë për oligarkët.

Po kështu edhe shembja e Teatrit Kombëtar pikërisht më datën 17 maj, ishte pjesë e një bashkëpunimi të qartë dhe tashmë është pjesë e një politike të strukturuar për të zhbërë identitetin dhe për të nxjerrë në ankand trashëgiminë.

Edhe shitja e zgjedhjeve të 25 prillit, duke prishur në heshtje edhe marrëveshjen e 5 qershorit, ishte pjesë e marrëveshjes së 5 viteve më parë”.

Ilir Meta nuk ka asnjë shqetësim kur pyetet për thirrjet e kryeministrit ndaj SPAK-ut për ta hetuar: “I bën thirrje SPAK që të hetojë Metën, pa asnjë diskutim, shumë mirë bën që e bën këtë gjë, madje t’i çojë dhe pyetjet. Ilir Meta ka armët më të forta: e vërteta dhe transparenca.

E keni parë ndonjëherë ju Ilir Metën t’i shmanget drejtësisë? Kurrë! Për një gjë dua ta siguroj: Pas 24 Korrikut është e sigurt që Ilir Meta, dhe jo vetëm, me qindra mijëra shqiptarë do shkojnë tek SPAK para gjykatësve me fakte dhe prova, jo deklarata politike, për gjithë mullarët e korrupsionit që lartësohen çdo ditë".

Meta u pyet po ashtu se çfarë do të bëjë pas përfundimit të mandatit të Presidentit. Ai paralajmëroi përballje të ashpër me qeverinë aktuale: “Së pari pas 24 korrikut, sigurisht që ka qëlluar ditë e hënë data 25, është ditë pune, kështu që fillojmë një kapitull të ri me energji të pashtershme.

Ajo që mund t’ju them sot është kjo që më 25 korrik e tutje pesimizmi është kohë e humbur për çdo shqiptar. Ne e kemi kohën përpara. Ajo që shqiptarët presin është një lidership që mban fjalën. Ajo që shqiptarët presin është llogaridhënia e të gjithëve. Mua më bën përshtypje se përse ka frikë një kryeministër nga drejtësia vetë të cilën e ka kapur nga fyti”.