Transmetuar më 17-05-2022, 11:50

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e mbajtur ditën e sotme, konfirmoi qasjen e ndryshme brenda opozitës se si duhet proceduar për zgjedhjen e presidentit të ri. Interesant ishte qëndrimi i Fatmir Mediut, i cili indirekt iu kundërpërgjigj Aliabejat. Ky i fundit foli për “skutat e errëta” të 30 viteve si është zgjedhur kreu i shtetit.

Kreu republikan tha se historia e PD nuk nis sot, ajo është përcaktuese në zhvillime tepër të rëndësishme të vendit tonë, me të mirat dhe të këqijat e veta. Pra, një “shuplakë” për grupin e Bashës, që kërkon ta shumëzojë me zero gjithçka ka ndodhur me demokratët në këto 30 vite, sidomos në rastet e zgjedhjes së presidentëve të ndryshëm:

“E kam merak shkeljen e parimeve. Përpiqem të mos i shkel parimet. PD dhe kjo opozitë ka një histori 30-vjeçare që ka bërë krenarë shumë shqiptarë dhe nuk mund të quhet historia e skutave. Ka pasur momente të mira dhe ka pasur momente të këqija. Përgjithësimi sikur sot politika vazhdon historinë për herë të parë nuk është i mirë.

Do ishte mirë të mos bëjmë përgjithësime të asaj që ka kaluar. Ka pasur momente të vështira. Raportet për manipulimin e zgjedhjeve nuk na i ka dhënë njeri gati. Pajtohem që duhet të ketë kritere në radhë të parë në atë që besojmë ne si opozitë. Por në fund të fundit kriteret do vijnë te emrat. Unë nuk kam shqetësimin thjesht dhe vetëm çfarë do bëjë Edi Rama dhe maxhoranca.

Ne respektojmë Kushtetutën dhe qytetarët shqiptarë. Nxjerrim një kandidat. E djathta e ka të mundur të tregojë se jemi seriozë në këtë proces duke bërë një kapërcim nga pikëpamja institucionale. Mund të diskutojmë me njëri-tjetrin. Nëse nuk ka përgjigje nga Taulant Balla, nuk kemi pse marrim pjesë në raundet e tjera".

Lidhur me atë që po ndodh për zgjedhjen e presidentit të ri, Mediu nënvizoi: Mendoj që në raundet që vijnë, domosdoshmërisht jo të bëjmë seanca bosh, pa kuptim, se zhvlerësojmë parlamentin, por seanca me negocime konkrete me kandidatura të negociuara.

Në rastin më të keq edhe me kandidatura të propozuara nga deputetë të opozitës në mënyrë që t’iu tregojmë qytetarëve që duam president që të qëndrojë mbi palët dhe sjell një qasje të re në sjellje e veprim në institucionin e presidentit, zhvillimet politike e ndërkombëtare.

Nëse do vijojmë pafund diskutime, do shkojmë në seanca bosh e pa kandidat. Të paktën personalisht, por besoj edhe opozita, mendoj se duhet të mos bëhemi pjesë e një procesi fasadë e farsë, që të presim të vijë raundi i 4-t dhe i 5-të, të veprohet me mazhorancë të thjeshtë. O do mbajmë qëndrim për të shkuar me kandidat, ose duhet të vendosim ndërprerjen e pjesëmarrjes në këtë proces”.

Kundër Alibeajt u shfaq edhe Grida Duma, deputetja demokrate: “ Ju keni raundin e fundit, kur do ta zgjidhni vetë. Ju keni të drejtë për propozim. Jepjani kandidatin opozitës. Ta propozojë opozita, shkoni votojeni, hidheni poshtë dhe më pas vijoni me raundin tjetër.

Që ne këtu të jemi fasadë për kriteret, nga ana ime harrojeni. Votimi i raundit të dytë të jetë këtë të enjte, bëjeni seancën. Të vijë me një emër opozita. Mbi atë emër bëjeni dhe votimin kundër, shprehni qëndrimin tuaj dhe vazhdoni me fasadën që keni nisur për një president sipas oreksit tuaj.

Ka disa individë në opozitë që duan të bëjnë protagonizëm personal. Opozita duhet t’i kërkojë mazhorancës që të votojë kandidatët e saj. Nëse nuk e votojnë, ata ta mbajnë në kurrizin e tyre. Nuk ka nevojë që të zgjatet kaq shumë procesi, politika që nuk prodhon asgjë është politika e fasadës, nuk duhet të hyjmë në këtë proces”.