Transmetuar më 14-05-2022, 13:36

Koreja e Veriut ka njoftuar të shtunën për 21 vdekje nga “temperatura”, teksa tha se mbi gjysmë milion persona janë të sëmurë. Këto njoftime vijnë dy ditë pasi u konfirmuan rastet e para me sëmundjen COVID-19 në këtë shtet.

Pavarësisht aktivizimit të sistemit “të karantinës emergjente” për të ngadalësuar përhapjen e sëmundjes në mesin e popullsisë të pavaksinuar, Koreja e Veriut tani po përballet me dhjetëra-mijëra raste të reja çdo ditë.

Të enjten, Koreja e Veriut konfirmoi se në Phenjan ishte detektuar varianti shumë ngjitës i koronavirusit, Omicron, teksa lideri verikorean, Kim Jong Un urdhëroi izolim në mbarë vendin.

Prej fundit të prillit deri më 13 maj, mbi 524,440 persona janë sëmurë, tha KCNA, ndërkaq 27 vdekje janë regjistruar deri më tani.

Koreja e Veriut ka thënë se vetëm një prej gjashtë vdekjeve të njoftuara të premten, kishte qenë pozitiv për koronavirus.

Lideri verikorean, Kim Jong Un,- tha se ky shpërthim po shkaktonte “trazira të mëdha” në Korenë e Veriut, teksa mori pjesë në një mbledhje për të diskutuar për situatën me pandeminë.

Koreja e Veriut ka një prej sistemeve shëndetësore më të këqija në botë dhe nuk ka asnjë vaksinë kundër koronavirusit, po ashtu nuk ka ilaçe antivirale për trajtim ose kapacitete për testim në masë,- thanë ekspertët.