Transmetuar më 13-05-2022, 09:43

Bulqizë- Përleshje e dhunshme në një lavazh në Bulqizë. Plagosen me mjete të forta dy persona që përfundojnë në spital.

Policia e Bulqizës është njoftuar për një sherr masiv në lagjen “Gjeologu”, në ambientet e një lavazhi.

Ndërhyrja e policisë ka shmangur një ngjarje me pasoja të paparashikueshme. Nga hetimet e kryera rezultoi se B. Ç., M. P., D. Ç., dhe S. C., kanë shkuar në ambientet e lavazhit të E.T., dhe pas një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta E. T., 34 vjeç, dhe D.T., 25 vjeç, duke u shkaktuar dëmtime në trup të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale "Plagosje e rëndë me dashje" , kryer në bashkëpunim, të B. Ç, 26 vjeç; M.P., 27 vjeç, banues në Bulqizë, si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e D. Ç, 29 vjeç; S. C.,26 vjeç, të cilët pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në vendin e ngjarjes kanë arritur të largohen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.