Transmetuar më 12-05-2022, 15:57

Dy motra binjakë identike që u rritën në vende të ndryshme treguan pabarazi shumë të mëdha në aftësitë e tyre njohëse dhe të zgjuarsisë e inteligjencës, ndërkohë që kanë tipare jashtëzakonisht të ngjashme të personalitetit.

Të lindura në Seul, Koreja e Jugut në vitin 1974, motrat binjake u ndanë në moshën vetëm dy vjeçare, kur njëra humbi në një treg.

Prindërit bënë shumë përpjekje për ta gjetur, deri dhe në program televiziv për personat e zhdukur, por vajza nuk mundi të bashkohej me familjen e saj dhe përfundoi duke u birësuar nga një çift në SHBA.

E rritur në SHBA, binjakja e birësuar as që e dinte se kishte një motër derisa ajo dorëzoi ADN-në e saj në programin e ribashkimit familjar të Koresë së Jugut më 2018, raporton noa.al.

Dy vjet më vonë, u njoftua se kishte jo vetëm një motër binjake identike, por edhe një vëlla më të madh dhe një motër tjetër.

Pas ribashkimit dekada më vonë, motrat binjake kryen një seri testesh të krijuara posaçërisht për të vlerësuar inteligjencën, profilet e personalitetit, shëndetin mendor dhe historinë mjekësore.

Rezultatet zbuluan se koeficienti i inteligjencës së motrës binjake që u rrit në SHBA ishte 16 pikë më i ulët se ai i vajzës që u rrit në Kore!

Zbulimi, i publikuar në revistën Personality and Individual Differences, është në kontrast me studimet e mëparshme të binjakëve monozigotikë, të cilët treguan një ndryshim mesatar të IQ prej jo më shumë se 7 pikë.

Duke komentuar hendekun e madh të papritur midis dy binjakeve, autorët e studimit shkruajnë se "është befasuese që binjaket nxorën në pah dallime domethënëse në aftësitë njohëse që përndryshe ishin të lidhura me ndikim të fortë gjenetik (trashëgimi)" .

Nëse ky ndryshim është shkaktuar nga edukimi i ndryshëm i binjakëve, është e vështirë të thuhet me siguri.

Megjithatë, studiuesit vërejnë se motra e cila u rrit në SHBA kishte pësuar një tronditje në tre raste të ndryshme në jetën e saj, gjë që mund të ketë ndikuar në aftësitë e saj njohëse.

Duke vazhduar vlerësimin e tyre për binjakët, studiuesit raportuan se "formimi i përgjithshëm i personalitetit të binjakëve ishte i ngjashëm. Gjëja e jashtëzakonshme është se të dy binjakët kanë tregues të lartë në organizim, maturi dhe bindje ndaj rregullave si dhe prirje për të kapur arritje të mëdha në jetë”.

Fakti që këto ngjashmëri mbetën, pavarësisht nga përvojat e kundërta të jetës dhe mjedisi në të cilin ato u rritën, është interesant dhe nënvizon rolin që luan trashëgimia në përcaktimin e temperamentit të një individi.

Për shembull, ndërsa binjakja që u rrit në Kore përshkroi rritjen në një shtëpi familjare të dashur dhe harmonike, motra e saj e birësuar në Shtetet e Bashkuara raportoi një edukim më të ashpër, të karakterizuar nga konflikte të shpeshta në familje dhe divorc nga prindërit e saj birësues.

Sidoqoftë, dy binjakët kishin rezultate identike të vetëvlerësimit dhe profile shumë të ngjashme të shëndetit mendor.

Binjakët kishin gjithashtu të përbashkëta në historinë e tyre mjekësore. Të dyja iu nënshtruan një operacioni për të hequr tumoret nga vezoret e tyre!

Megjithatë, ato ndryshonin në ideologjitë e tyre të ngulitura kulturalisht: motra që u rrit në SHBA tregoi një pikëpamje më individualiste për jetën, ndërsa ajo që u rrit në Kore shfaqi më shumë dëshirë për jetë kolektive.

Logjikisht, rastet e binjakëve (le më identike) të rritur veçmas janë të rralla dhe më shumë raste të tilla duhen studiuar përpara se të nxirren përfundime të sigurta. Megjithatë, ky studim ofron disa njohuri të reja emocionuese mbi faktorët gjenetikë, kulturorë dhe mjedisorë që ndikojnë në zhvillimin njerëzor. /noa.al