Transmetuar më 11-05-2022, 19:56

Elbasan – “Ti nuk je vetëm! Ti nuk je i/e vetmja!” – “Bashkë mposhtim çdo gjë, edhe dhunën!” – “Dhuna në familje ndodh pas dyerve të mbyllura, ju nxirreni në dritë, ne ndëshkojmë përgjegjësit!”

Nën këto tre moto, me iniciativë të oficerit të sigurisë të kësaj shkolle, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në gjimnazin e përgjithshëm "Mahir Domi", u zhvillua një takim i gjerë sensibilizues.

Në të morën pjesë 50 nxënës që ndjekin shkollën me kohë të pjesshme, drejtoresha e shkollës, psikologë, përfaqësues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të organizatës Forumi i Gruas Elbasan dhe punonjës socialë.

Në fokus të këtij takimi ishte ndërgjegjësimi i shoqërisë, për të denoncuar rastet e dhunës.

Pjesëmarrësit në takim, drejtoresha e shkollës, psikologia, punonjësja sociale dhe përfaqësuesja e organizatës Forumi i Gruas Elbasan, përcollën mesazhe të forta, për nxënësit dhe mbarë shoqërinë, si:

“Duaje, mos e dhuno! Familjes i detyrohemi dashuri, jo dhunë!” dhe “Familja është krijuar për të qënë Parajsa jonë në tokë, jo ferr dhune.”

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Ardian Çipa, përcolli mesazhin:

“Dhuna në familje ndodh pas dyerve të mbyllura, ju nxirreni në dritë, ne ndëshkojmë përgjegjësit!”.

Përmes këtij mesazhi, z.Çipa garantoi të pranishmit, dhe nëpërmjet tyre të gjithë qytetarët, se strukturat e Policisë e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të trajtuar ligjërisht të gjitha rastet e dhunës dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë dhunuesit e abuzuesit në familje.

Rastet e dhunës në familje nuk duhet të fshihen por të denoncohen, të njoftohet në kohë Policia, si dhe të forcohet bashkëpunimi i të gjithë strukturave përgjegjëse, aktorëve dhe faktorëve, me qëllim që dhuna në familje të mos ngelet vetëm te forca shtrënguese e Policisë së Shtetit për t’u trajtuar, pasi kjo nuk është zgjidhja e plotë e problemit, por të vlerësohen edhe pasojat psikologjike dhe sociale të këtij fenomeni.

Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të dhunës në familje, si dhe ju garanton reagim të shpejtë dhe të menjëhershëm. /noa.al