Transmetuar më 08-05-2022, 23:27

Tiranë- Sot në “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan u tregua historia e Lules, e cila ishte paragjykuar gjithë jetën nga familjarët dhe njihej si “terslie”. Djali i saj, Flori, tregoi historinë e pazakontë sipas të cilës në familjen e tyre çdo katër vite, në muajin Janar, dikush ndërronte jetë.

Që në moshë të mitur, Lulja i ishte premtuar një djali, mirëpo ai kishte ndërruar jetë kur ishte vetëm 18 vjeç. Për të ruajtur miqësinë mes familjeve, atë e kishin martuar me vëllanë e ish-të premtuarit të vdekur. Duke nisur nga ai moment, Lulja ishte parë nga të gjithë si “e mallkuar”.

Në shtëpinë e tyre kishin pllakosur vdekjet, fillimisht stërgjyshja, gjyshja dhe babai i Florit. Vdekjet kishin ndodhur çdo 4 vjet, në muajin Janar. Bashkëshorti i Lules kishte lënë pas 6 fëmijë, ndërsa nuk e kishte njohur dot vajzën që e shoqja po priste. Mirëpo nuk mbaron këtu, vajza gjithashtu kishte ndërruar jetë.

Ardit Gjebrea: Pas 4 vitesh që nëna shkoi në shtëpi, çfarë ndodhi?

Flori: Pas 4 vitesh ndërroi jetë gjyshja e shtëpisë sepse kur shkoi nuse gjeti gjyshen, pastaj u sëmur vjehrra.

Ardit Gjebrea: Pas sa kohësh?

Flori: 4 vjet pas gjyshes, në të njëjtin muaj, në Janar.

Ardit Gjebrea: Pra në Janar iku vëllai i vogël, në Janar iku gjyshja, në Janar iku mamaja? Dhe çdo 4 vjet, Janar?

Flori: Po. Dhe kështu vazhdoi. Pastaj filluan paragjykimet sepse si nuse që vinte me këmbë jo të ndershme, si mund ta quash, jo me këmbë të mbarë dhe po shihej me atë syrin…

Ardit Gjebrea: Që kur të kalojnë 4 vjet dhe të vijë Janari, të gjithë të tmerruar çfarë do ndodhë.

Flori: Dhe në fakt ndodhi.

Ardit Gjebrea: Pas 4 vitesh? Në Janar?

Flori: Po.

Ardit Gjebrea: Kush vdiq?

Flori: Babai.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë, mamaja ishte shtatzënë me fëmijën e shtatë?

Flori: Me fëmijën e shtatë, kjo ishte më…

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që vdiq babai.

Flori: Vdiq babai, ne vazhduam punën…

Ardit Gjebrea: U bëtë 7 fëmijë?

Flori: Erdhi në jetë fëmija i shtatë dhe nëna tha “lindi dhe një ditë”, pra me këtë do kalonte atë mërzitjen që shkaktoi humbja e babait tonë. Vjen një vajzë dhe nëna ia vuri emrin Linditë, por nuk mbaroi këtu.

Ardit Gjebrea: Vdiq edhe ajo?

Flori: Ajo vdiq pas një viti sepse nëna nuk mund të dilte se paragjykohej.

Ardit Gjebrea: Unë di dhe atë fjalën që i thoshin nënës tënde. “Terslia”, e quanin “terslia”.

Flori: Po, po. E quanin “terslia” gjithmonë, madje janë shprehur “nusja që na hëngri dy vëllezërit”.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë mami yt e ka emrin?

Flori: Lule.