Transmetuar më 08-05-2022, 21:00

Tiranë- Rritja e çmimeve ka bërë që fermerët shqiptarë të gjejnë metoda alternative për rritjen e bimëve për të zëvendësuar plehrat kimike.

Së fundmi ata kanë ‘shpikur’ plehun e tyre duke përdorur mbetjet e kafesë si stimulues të rritjes.

Alban Cakalli ka një tokë në veriperëndim të Shqipërisë ku kultivon perime. Ai po eksperimenton edhe me bimë ekzotike si frutat e pasionit, ndërsa tregon se shkon në lokalet e zonës për të mbledhur mbetjet e kafesë.

“Ideja erdhi për shkak të rritjes së çmimit të plehrave dhe pesticideve të tjera të përdorura në bujqësi”, thotë ai.

Albani tregon se çmimet e plehrave që bërdoren në bujqësi janë rritur me 50 përqind kohët e fundit. Pasi lexoi disa studime se mund të përdorte edhe mbetjet e kafesë si alternativë, ai vendosi ta provojë. Tani Albani është i lumtur që po përdor një nënprodukt që do të hidhej.

“Është mirë të riciklosh gjithçka në bujqësi. Toka dëshiron të ushqehet herë pas here dhe mënyra më e mirë është që të gjitha frutat, të gjitha mbeturinat në bujqësi, të kthehen në tokë sepse kohët e fundit kemi vuajtur nga erozioni”, thotë fermeri Cakalli.

Çdo ditë ai shkon në lokalet e zonës ku banon për të marrë mbetjet e kafesë.

I përzien mbetjet e kafesë me barin e korrur dhe pret tre muaj përpra se ta përdorë. Por kjo zgjidhje që ai ka gjetur ka shkaktuar një konkurrencë të fortë, pasi edhe banorë të tjerë kanë filluar të mbledhin mbetjet e kafesë.

Fermerë si Albani gjithashtu i bëjnë thirrje qeverisë për mbështetje, pasi sipas tyre ata kontribuojnë 20 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë./VOA/