Transmetuar më 07-05-2022, 10:40

Ngjarje tronditëse në qytetin e Korçës, ku një djalë shihet si përgjegjës për nxitjen dhe detyrimin e dy të miturve që të kryejnë vepra të turpshme me njëri-tjetrin.

Kjo ngjarje e rëndë ka vënë në lëvizje policinë e Korçës dhe specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.

Burimet policore thanë për noa.al se nën akuzat për veprat penale "Vepra të turpshme", "Shtytja e të miturve në krim", u bë sot arrestimi i shtetasit G. R., 20 vjeç, banues në Korçë.

Ndërsa për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", u bë arrestimi i shtetasit J. A., 22 vjeç, edhe ai banues në Korçë.

Nga hetimet e kryera, rezulton se ditën e djeshme, shtetasi G. R., në lagjen nr. 17, Korçë, dyshohet se ka detyruar dy djem të mitur të kryenin veprime të turpshme me njëri-tjetrin. Një prej dy djemve që u abuzuan ishte 8 vjeç.

Ndërsa shtetasi J. A., ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar krimin, pranë organeve të rendit. /noa.al