Transmetuar më 04-05-2022, 21:00

Jeta e një djali të ri u shua sot në rrethana të dyshimta dhe të paqarta brenda komisariatit të policisë së Kavajës, pasi më herët sot ishte arrestuar nën dyshime për vjedhjen e një dere.

Ilvi Meta u deklarua i vdekur dhe policia tha se ai është vetëvarur. Rrethanat dhe shkaqet nuk janë të qarta dhe policia nuk sqaron mënyrën se si ndodhi dhe u zbulua vdekja e rëndë.

Në një komunikatë sonte, thuhet se më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç.

Ndërsa nuk u bë e ditur kur u gjet i vdekur djaloshi, në njoftim thuhet se ai është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg", për vjedhje.

Vdekja në komisariat e të riut, po shoqërohet me veprime hetimore. Zyrtarisht thuhet se është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Duket se ngjarja ka sjellë shqetësim në kupolën qeveritare dhe policore sepse vonë në mbrëmje pati një reagim të Policisë së Shtetit. Ndryshe nga Policia e Tiranës që tha se Ilvi Meta u gjet i vetëvarur, Policia e Shtetit tha se "në Komisariatin e Policisë Kavajë, në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete, shtetasi I. M., i dyshuar si i vetëvarur, i cili ishte ndaluar mesditën e sotme".

Duke pranuar se po hetohet dhunë e mundshme policore ndaj të riut, njoftohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë. Policia e Shtetit thotë se nuk është pjesë e këtij hetimi.

Më herët më 28 mars një tjetër i ri vdiq në komisariat, në Kamzë.

Organizata joqeveritare reaguan sonte duke akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë të egër ndaj të riut që të pranojë një vjedhje derisa i morën jetën.

Agim Meta, babai i të riut që vdiq në komisariatin e Kavajës, tha:

“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite, bënë kontroll në shtëpi, edhe thanë do ta sjellim, s’ka gjë s’ka gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë Agim ik tek shpia se ka ndodh diçka. Kur shkova në shtëpi gjeta gruan, vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë, qoftë policia, kryeministri Edi Rama që mos e bëfshin pikën e hajrit. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion”.

Deputeti i PD-së, Dashamir Sula ka hedhur akuza se i riu Ilvi Meta nuk ka vrarë veten, por ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës barbare që kanë ushtruar policët që të pranojë vjedhje të një makine qepëse.

“Burimet më konfirmojnë se i riu nuk ka vrarë veten, por ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës barbare që kanë ushtruar punonjësit e policisë. I bëj thirrje Prokurorisë që të zbardhin ngjarjen me profesionalizëm dhe pa lejuar manipulimin e provave. Opozita po ndjek me vëmendje ngjarjen dhe inkurajojmë organin e akuzës që të bëjnë punën në mënyrë të pavarur”, thotë Sula.