Transmetuar më 01-05-2022, 11:42

Kopenhagen – Pandemia, në shumë vende evropiane, përfshi edhe vendin tonë, ka filluar të zbehet. Efekti i vaksinave, së bashku me imunitetin e fituar gjatë këtyre viteve dhe variantet më të lehta të Covid-19, kanë lejuar një relaksim të masave shtrënguese.

Aktualisht, Danimarka ka hequr të gjitha masat kundër koronavirusit. Qeveria daneze, pasi siguroi që pandemia ishte nën kontroll dhe duke marrë si referencë përqindjen e lartë të vaksinimit, vendosi përfundimin përkohësisht të fushatës së vaksinimit.

“Po përfundojmë programin e vaksinimit masiv kundër COVID-19”,- tha drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Bolette Soborg.

Në Danimarkë, rreth 81% e popullsisë (gjithsej 5,8 milionë banorë) janë vaksinuar plotësisht, ndërsa 61,6% kanë marrë dozën përforcuese.

Të dhënat në këtë vend tregojnë për një rënie të numrit të infeksioneve, ndërsa të dhënat e shtrimit në spital mbeten të qëndrueshme.

Do të jetë data 15 maj kur do të përfundojë fushata e vaksinimit, e cila mendohet se do të rikthehet pas verës, sipas Ministrisë Daneze të Shëndetësisë.