Transmetuar më 26-04-2022, 22:27

Republikat e vetëshpallura Popullore të Donestkut dhe Luhanskut janë bërë të pavarura nga Ukraina në një mënyrë të ngjashme me atë që ndodhi në Kosovë. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin, duke pritur në Kremlin Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

“Kam lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së në lidhje me situatën në Kosovë dhe më kujtohet shumë mirë fjalia që thotë se në ushtrimin e të drejtës së vetëvendosjes një territor i një shteti nuk është i detyruar të marrë leje tek autoritetet qendrore të vendit të tyre për të deklaruar sovranitetin, diçka e mbështetur nga të gjithë dhe që përbën një precedent”, përfundoi Putin.

Duke pretenduar se Kosova kishte shpallur pavarësinë në vitin 2008 pa u konsultuar me Serbinë, Putin e pyeti Guterresin nëse ai ishte dakord që ofronte një precedent për dy "republikat" e Donbasit për të shpallur pavarësinë pa lejen e Kievit dhe që Moska t’i njihte ato pasi shumë vende perëndimore e njohën Kosovën.

Guterres vuri në dukje se OKB-ja nuk e njohu Kosovën, por Putini shpërfilli këtë deklaratë dhe vuri në dukje faktin se vendimi i gjykatës ndërkombëtare të OKB-së ishte pranuar dhe mbështetur nga të gjithë. /noa.al