Transmetuar më 25-04-2022, 21:16

Elon Musk arriti një marrëveshje për të blerë Twitter për rreth 44 miliardë dollarë, pas shumë vitesh që themeluesit e këtij rrjeti social kishin deklaruar se nuk do ta shisnin kurrë.

Musk, pronar edhe i Tesla dhe SpaceX, tha se do të kishte ndërhyrje të buta në përmbajtjen dhe politikat e këtij rrjeti social.

Ndërsa shtoi se do të vazhdojë të promovojë interesat e tij, të sulmojë kritikët dhe të japë opinione mbi çështjet sociale dhe ekonomike për më shumë se 83 milionë ndjekës që ka.

Personi më i pasur në botë, ka thënë se vendosi të blinte Twitter-in, sepse mendon se kjo kompani nuk po e përmbush potencialin e saj si një platformë për fjalën e lirë.

Ai ka folur për një sërë ndryshimesh, nga lehtësimi i kufizimeve të përmbajtjes – të tilla si rregullat që pezulluan llogarinë e ish-presidentit Donald Trump – deri te bllokimi. Musk tha se do të ishte "shumë ngurrues" të fshinte postime dhe i kujdesshëm në lidhje me ndalimet e përhershme duke nënkuptuar se plani është që të zhbllokohet llogaria e Donald Trump.

Musk tha në një deklaratë të përbashkët me Twitter se ai dëshiron ta bëjë shërbimin "më të mirë ndonjëherë" me veçori të reja, duke i bërë algoritmet e tij të hapura për publikun, për të rritur besimin.

“Fjala e lirë është baza e një demokracie funksionale dhe Twitter është sheshi dixhital i qytetit ku debatohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit,” tha ai.

Marrëveshja u mbyll dy javë pasi miliarderi zbuloi për herë të parë planet e blerjes.

Musk tha javën e kaluar se kishte akorduar 46.5 miliardë dollarë financime për të blerë Twitter, duke ushtruar presion mbi bordin e kompanisë për të negociuar një marrëveshje.

Musk është personi më i pasur në botë, sipas Forbes, me një pasuri rreth 279 miliardë dollarë. Por shumica e parave të tij janë në aksionet e Tesla-s – ai zotëron rreth 17% të kompanisë së makinave elektrike. Vetë Tesla vlerësohet në më shumë se 1 trilion dollarë.

Musk është dhe pronat i SpaceX, kompania private e hapësirës.

Musk filloi të bënte pasurinë e tij në vitin 1999 kur shiti Zip2, një projekt online hartash dhe biznesi. Ai e shiti te Compaq për 307 milionë dollarë. Musk investoi paratë për të krijuar atë që do të bëhej më pas i famshmi PayPal, një shërbim interneti që anashkalon bankat dhe i lejon konsumatorët të paguajnë drejtpërdrejt. PayPal u shit dhe u ble nga eBay për 1.5 miliardë dollarë në 2002.

Në të njëjtin vit, Musk themeloi Space Exploration Technologies, ose SpaceX, pasi zbuloi se kufizimet e kostos po kufizonin udhëtimin ndërplanetar të NASA-s. Kompania përfundimisht zhvilloi raketa të ripërdorshme me kosto efektive.

Në vitin 2004, Musk u pranua për të investuar në Tesla, atëherë një startup që përpiqej të ndërtonte një makinë elektrike. Përfundimisht ai u bë CEO dhe udhëhoqi kompaninë drejt suksesit si prodhuesi më i vlefshëm i automjeteve në botë dhe shitësi më i madh i automjeteve elektrike.