Transmetuar më 23-04-2022, 08:30

Ndonëse çmimet janë rritur me ritme të shpejta, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të mallrave të konsumit për një shportë produktesh, sipas INSTAT, është ndër më të ulëtit në Evropë.

Instituti i Statistikave INSTAT, raportoi se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2022 është 5,7 %, më i ulët sesa mesatarja e Bashkimit Evropian prej 8%.

Në muajin Mars 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 2,4 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 6,2 %, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,9 %, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,8 %, “Shërbimi arsimor” me 0,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,5 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,2 %.

Në mars, inflacioni i matur nga INSTAT rezultoi po 5.7%. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002 dhe është shumë më i lartë se objektivi i shënjestruar prej 3% i Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit, që si përgjegjësi kryesore ka ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në një përpjekje për të frenuar inflacionin, pak ditë më parë vendosi rritjen e normës bazë për herë të parë në një dekadë, duke e çuar në 1%, nga niveli minimal historik prej 0.5% që ishte deri tani.