Transmetuar më 14-04-2022, 07:34

Tiranë- Rritet çmimi i vajit. Bordi i transparencës të çmimeve të shportës për këtë javë mbajti të pandryshuar çmimet e shitjes të vajit të lulediellit në 321 lekë për litër, ndërsa importuesit pohojnë se për muajin prill çmimi i vajit të furnizuar nga Hungaria arriti 400 lekë për litër.

Aktorë të tregut ngrenë shqetësimin se çmimet e tregjeve të huaja nuk po ndiqen me rigorozitet nga bordi i transparencës, me arsyetimin se në tregun e brendshëm po tregtohen furnizimet e muajit të kaluar, që janë blerë me çmim më të lirë.

Përveç çmimit të lartë vendi rrezikon edhe furnizimin me vaj të lulediellit për shkak të rënies të lartë të ofertës në tregjet e huaja. Importuesit shpjegojnë se dy janë rrugët e sigurimit të vajit. Furnizimet nga vendet e Europës me çmim shumë të lartë, pasi oferta është shumë e ulët dhe furnizimet që kanë nisur nga Ukraina me çmim 40 lekë më të lirë për litër, por që mbartin riskun e mos mbërritjes të ngarkesës për shkak të luftës. Bizneset në Ukrainë për shkak të frikës të asgjësimit të rezervave të tyre po tentojnë të gjejnë rrugë eksportimi në formën e trans-shiping (kalimi nga bankerat e trenave nëpër botet të kamionëve të transportit drejt 3 shteteve që kufizohen me Ukrainën, si: Polonia, Hungaria dhe Rumania. Përveç riskut të mbërritjes të furnizimeve tarifat e transportit janë 2 fish më të larta.