Transmetuar më 13-04-2022, 17:32

Analistët gjermanë parashikojnë një rënie globale dhe rritje të papunësisë për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Një raport i përgatitur nga analistët e Deutsche Bank vlerëson se lufta e Rezervës Federale të SHBA-së kundër inflacionit do të sjellë një recesion në ekonominë amerikane, i cili do të godasë në fund të vitit të ardhshëm, raporton noa.al duke cituar mediat amerikane.

Paralajmërimi i recesionit – i pari nga një bankë e madhe – pasqyron shqetësimet në rritje se Rezerva Federale e SHBA do të detyrohet të ngadalësojë ekonominë amerikane aq sa do të ndalojë me shpejtësi rimëkëmbjen që filloi vetëm dy vjet më parë.

Raporti u publikua pasditen e së martës, 12 prill, pasi anëtarët e një grupi analistësh të shquar u takuan në një sallë konferencash të NATO-s në Gjermani. Të pranishëm ishin edhe CEO të kompanive më të mëdha, Airbus, Allianz, BASF, Bosch, Siemens, Mercedes. Po ashtu morën pjesë edhe kancelari Olaf Scholz (SPD) dhe ministri i Financave Robert Habeck (të Gjelbërit).

Parashikimi i analistëve të Deutsche Bank bazohet tek rritja e inflacionit, pasi çmimet e konsumit po shënojnë rritje me ritmin më të shpejtë në 40 vjet. Dhe, sigurisht, shpresat se inflacioni do të përshkallëzohet janë shkatërruar nga lufta në Ukrainë.

Presionet inflacioniste janë intensifikuar, duke ngritur shqetësimet se FED-it do t’i duhet të rrisë menjëherë normat e interesit për të vënë çmimet nën kontroll. Raporti i Deutsche Bank thekson se çmimet e energjisë dhe ushqimeve janë rritur ndjeshëm që nga pushtimi i Ukrainës.

Në këtë pikë raporti vëren se për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, Rezerva Federale duhet të ndjekë një politikë kufizuese, që me fjalë të tjera do të thotë se nuk mundet thjesht të ngadalësojë rënien ekonomike, por duhet me të vërtetë ta ndalë atë.

Çështja shtrohet nëse embargo dhe sanksionet ndaj Rusisë duhet të vazhdojnë. Disa vende evropiane dhe një koalicion i gjerë shkencëtarësh dhe personalitetesh po bëjnë thirrje për një embargo të fortë në përgjigje të luftës agresive të presidentit rus Vladimir Putin.

Por ka probleme serioze…

Së pari, mbi 40% e gazit natyror në Kontinentin e Vjetër vjen nga Rusia. Sipas një numri ekonomistësh si dhe shumë ministrave të kabinetit në të gjithë BE-në, një ndalim i importit të produkteve ruse të energjisë do të shkaktonte dëme të mëdha makroekonomike në shkallë globale.

Nisur nga këto dyshime,  zëvendëskancelari gjerman Habek shprehu qëndrimin se paqja sociale do të kërcënohej jo vetëm në vendet e mëdha, por në mbarë globin.

Vlerësimet e instituteve kryesore ekonomike gjermane tani ngrenë një shqetësim tjetër, më të madh, duke përcaktuar qartë pasojat e një embargoje të plotë.

Sipas tyre, pasojat janë të dukshme: Ajo që do të pasonte do të ishte një recesion i vazhdueshëm dhe i përhapur globalisht duke arritur nga -2% deri -3%, sipas Ministrisë gjermane të Financave. Për rrjedhojë, shkalla e papunësisë do të rritet.

Në Gjermani, lokomotiva e Evropës, nëse do të ketë një ndërprerje të plotë të furnizimit me gaz rus dhe ky boshllëk të mbulohet nga ofruesit alternativë, GDP-ja do të bjerë me 6% këtë vit – një humbje prej 230 miliardë eurosh.

Llogaritjet e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), nga ana tjetër, tregojnë shifrën-3% për sa i përket prodhimit ekonomik.

Ky institut në bashkëpunim me 4 institute të tjera, sugjerojnë se industria globale do të pësojë tronditje serioze. Fuqia blerëse do të bjerë drastikisht pasi njerëzit do të përpiqen të kursejnë për mbijetesë afatgjatë dhe kjo do të prekë gjithë zinxhirin e ekonomisë.

Megjithatë, parashikimet ekonomike që rezultojnë nuk janë fundi i debatit. Nuk ka pasur kurrë një krizë si ajo që po përjetojmë sot, dhe shumë analistë të tjetër thonë se po futemi në territore të pashkelura. /noa.al