Transmetuar më 03-04-2022, 08:32

Sot zhvillohen zgjedhjet në Serbi. Në këtë shtet do të zhvillohen njëkohësisht zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Janë rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista, ndërkohë që pretendojnë të marrin tre deri në katër deputetë.

Mediat më herët raportuan se vetëm pak ditë para zgjedhjeve në këtë shtet, më shumë se 6,000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve. Një veprim që aktivistët dhe studiuesit thonë se është bërë për shkak se janë shqiptarë etnikë.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në Kosovë të votojnë, duke thënë se duan ta zbatojnë Kushtetutën. Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit.

Mësohet se serbët nga disa qytete do të nisen drejt Serbisë me transport të organizuar por nga disa komuna ata do të udhëtojnë edhe me veturat e tyre. Mbrëmë u raportua se në Shillovë të Gjilanit grupe serbësh pritën në radhë për t’u furnizuar me naftë për të shkuar dhe votuar në Serbi. Po ashtu, u tha se karburante falas u dhanë në një pikë të derivateve, ku u theksua se për këtë janë përdorur paratë nga fondi për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.

SHANSET PËR VUÇIÇ Sondazhet thonë se Vuçiç mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e parë. Ndërsa opozitës së përçarë i jepen shanse vetëm në kryeqytet, Beograd. Opozita i ka bojkotuar në masë të madhe zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020 për shkak të kushteve të padrejta. Tani pritet që disa koalcione të futen në parlament. Koalicioni Të Bashkuar për Serbinë (US), i përbërë nga një spektër i gjerë partish demokratike të qendrës së majtë dhe të djathtë, mund të marrë midis 15 – 20 për qind të votave. Kandidati i tyre presidencial, Zdravko Ponosh, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mund të fitojë edhe më shumë vota. Aleanca e re e majtë-gjelbër “Moramo” mund të kalojë gjithashtu pragun prej tre për qind të votave dhe të futet në parlament.

Skena e djathtë nacionaliste, e cila kandidon me pesë kandidatë presidencialë dhe pesë lista, po kalon një kohë shumë më të vështirë. Mbi 80 për qind e qytetarëve të vendit refuzojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe rreth dy të tretat e shohin Rusinë si partnerin më të rëndësishëm. Megjithatë, të djathtët dhe nacionalistët nuk kanë vërtet shanse të mira për të hyrë në parlament.