Transmetuar më 14-03-2022, 10:57

Shoh këtë paketën e asaj që u quajtka rrezistenca sociale e shpallur sot ditën e Ballokumes! Të merr frika! Në fillim rrëmben emrin e "rezistencës", tallje e madhe. Këtu edhe rezistencën e bën qeveria, jo qytetari!

Po kush po pyet për emërtime! Ajo që shoh është e frikshme. Mbështeten me thërrime shtresa më në zgrip të shoqërisë dhe nuk preken në asnjë përqindje fitime shtresat e pasura, kurse shtresat e mesme tërësisht të lëna në mëshirën e fatit.

E pra, ato janë baza e një shoqërie demokratike. Jo rastësisht goditen, lihen në mëshirën e fatit, ekspozohen ndaj ashpërsisë së jetës, fyhen, injorohen. Sepse ato kanë mundësi të formojnë një mendim alternativ.

Ato formojnë shtresa proevropiane e integruese, ato rivalizojnë pushtetarët, ato mund të drejtojnë ndryshe shoqërinë. Jo, jo, dru atyre! Mjafton një ekran televizori që të shohin liderin varfanjakët pa pasur nevojë të dalin jashtë, që jetojnë me ndihma sociale.

Ato ta japin votën në fund të mandatit, sikurse marrin pagën e turpit në fund të muajit dhe kaq! Ecim dhe marshojmë! Na bëftë mirë ballokumja, sepse aq ishte ndihma e rezistencës sociale!