
Trajneri i Partizanit doli në konferencë për shtyp dhe bëri prognozën e ndeshjes së javës së 25-të të Superligës. Kalendari i vendos “demat e kuq” përballë Egnatias, në sfidën e nesërme, që do të startojë në orën 16:45, në “Elbasan Arena”. Dritan Mehmeti nënvizoi mes të tjerash:
“Nga ndeshja e parë me Egnatian kanë ndryshuar disa gjëra në lojë dhe ritëm. Në këto ndeshje, për ato që kemi dhënë në fushë, duhet të kishim marrë pikë më shumë. Nga debutimi me Egnatian te ndeshja nesër, edhe te kundërshtari kanë ndryshuar mjaft gjëra.
Kemi pasur ngjeshje në kalendar. Cara ka pasur probleme në kavilje. Bitri vuan nga viroza, Kallaku nga pasoja e Covid-19. Në aspektin fizik, Kallaku s’ka qenë ku duhet. Kjo ka ndikuar edhe në formën e tij.
Bitri ka treguar se është më mirë, është futur me grupin. Edhe Cara do të jetë i gatshëm. Kallaku është në dyshim, se po merr mjekim. Kemi dyshime edhe për Malën, sot do të vendosim. Nëse do të luanim në Tiranë do të na ndiqnin më shumë tifozë. Nëse vendosim të luajmë në Elbasan apo Durrës, jam i sigurt se do të kemi mbështetje.
Jam munduar që të kemi plane afatshkurtra për gjendjen fizike dhe psikologjike, me motivim për ndeshjen e radhës. Jemi ndërtuar për objektiva të mëdha. Më minimalja është që të kërkojmë Evropën dhe Kupën. Çdo anëtar i Partizanit ta kuptojë mirë çfarë fanelle mban veshur. Nëse nuk e përballon këtë, nuk është për këtë klub.
Një trajner, për të motivuar skuadrën është e vështirë ta bëjë këtë gjë me ndeshje të tilla, me skuadra të quajtura të vogla. Në motivim është më e thejshtë me skuadrat e mëdha. Këto janë ndeshjet më të vështira, lojtarët të sillen si profesionistë.
Egnatia ka individë të mirë, t’i japim rëndësinë e duhur këtij takimi. Ata kanë manovrat e tyre taktike, duket të kemi durim, qetësi dhe agresivitet. Janë 90 minuta dhe të mos nxitohemi, kemi hasur probleme me Kastriotin apo Dinamon. Nxitimi të çon në gabim para porte.
Çelësi i suksesit? Duhet të kemi fizionominë dhe lojën tonë. Unë respektoj kundërshtarët, por jemi Partizani. Të jemi ne që imponojmë lojën në çdo takim. Junior dhe rasti i humbur në derbi? Besoj se e kam lënë të qetë për këtë rast, është një moment. Nuk më shqetëson ai rast, por forma që po kalon.
Është këtu për të bërë diferencën, klubi ka besuar shumë tek ai. Iu ndodh edhe lojtarëve më të mëdhenj. Është moment i vështirë për të, vuan në 20 metrat e fundit, por punon shumë në pjesën tjertër. Para porte duhet të jetë më konkret”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





