Transmetuar më 03-03-2022, 23:44

Nga Stefano Vespa

Një raport i “The Royal United Services Institute” një think-tank i njohur në Britaninë e Madhe, shpjegon se çfarë ndodhi me Putinin, bazuar në dokumentet origjinale të inteligjencës ruse, të vëna në dispozicion nga autoritetet ukrainase.

Vendimi për pushtimin e Ukrainës, u mor në bazë të një studimi të kryer javët e fundit, por që pasqyroi një realitet në kohë paqeje, pa analizuar nëse ai realitet do të kishte ndryshuar apo jo nën bombardimet intensive, si ato që po shihen këto ditë në mbarë Ukrainën.

Mund të duket e pabesueshme, por arsyeja pse presidenti rus Vladimir Putin ishte i bindur se mund ta fitonte luftën në Ukrainë brenda dy apo tri ditësh, dhe të rikthehej në shtëpi pasi të vendoste në Kiev një qeveri kukull, është një raport i shërbimit sekret të brendshëm, FSB, që “fotografoi” një realitetet shoqëror dhe politik shumë të ndryshëm nga ai që është në realitet.

Vendimi për pushtimin e Ukrainës, u mor në bazë të një investigimi të kryer javët e fundit mbi situatën ekonomike, sociale dhe politike të porositur nga Drejtoria e Nëntë e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), pra ajo që merret zakonisht me vendet fqinje.

Sipas këtij studimi, në fillimin e muajit shkurt, një pjesë e madhe e ukrainasve shpreheshin pesimistë për të ardhmen, nuk kishin besim tek politikanët dhe institucionet, si dhe ishin të shqetësuar për rritjen e inflacionit dhe koston e jetesës.

Puna e presidentit Volodymyr Zelensky pëlqehej nga vetëm 27 për qind e qytetarëve. Ndërkohë 67 për qind e ukrainasve shprehnin mosbesim ndaj tij, ndryshe nga 68 për qind e tyre që kishin shumë besim tek ushtria ukrainase.

Po ashtu Putinit iu raportua një mungesë e theksuar e besimit tek policia dhe shërbimet e sigurisë së brendshme. Vlerësimi ndaj parlamentit dhe partive politike ishte shumë i keq, me respektivisht 11 për qind dhe 8 për qind.

Për më tepër, 40 për qind e qytetarëve iu përgjigjën sondazhit duke thënë se nuk do ta mbronin Ukrainën nëse ajo do të pushtohej.

Shumica kishte besim tek forcat e armatosura në rastin e një pushtimi dhe ishin inferiorë ndaj rusëve duke shprehur skepticizëm se Rusia mund të pushtonte vendin.

Thuajse 90 për qind e të anketuarve e dinin që Moska po vendoste një numër të madh trupash dhe armatime në kufi më Ukrainën, por nuk besonin se kjo do të pasohej nga një luftë e vërtetë.

Kishte edhe elementë të tjerë që e mashtruan Kremlinin. Për shembull, më shumë se gjysma e ukrainasve kishin një mendim të mirë për kishën ortodokse, pavarësisht se ishin të vetëdijshëm se të qenit e Ukrainës si pjesë e Patriarkanës së Moskës, nënkuptonte infiltrimin e shërbimeve sekrete ruse.

Nga pikëpamja rajonale, banorët e Ukrainës Juglindore, ishin ata që kishin shumë më pak besim tek shteti.

Të gjitha këto të dhëna ishin edhe baza e fjalimit televiziv të Vladimir Putinit në pragun e pushtimit, kur ai foli për Ukrainën, duke ripërshkruar panoramën që i dha FSB-ja e tij.

Në këto kushte, institucionet më të mbështetura nga ukrainasit, si forcat e armatosura, ishin ato kundër të cilave rusët synonin të sulmonin më shpejt dhe me vendosmëri. Por deri tani gjërat kanë shkuar shumë ndryshe. Rusët e nënvlerësuan mobilizimin popullor dhe faktin se vetëm në Ukrainën Juglindore, nuk kishte dëshirë popullate për t’u mbrojtur nga një pushtim rus.

Njëkohësisht, analiza e FSB-së paralajmëronte se lufta do të fitohej edhe në Kiev dhe se forcat speciale do të goditnin fort organizatat e mbrojtjes civile. Me pak fjalë, thekson raporti i think-tank britanik, cilido që e planifikoi pushtimin e mori seriozisht atë dokument të FSB-së, duke e bindur veten se Rusia do të kishte një shans të mirë për të shkatërruar shumë shpejt institucionet ukrainase.

Po ashtu mendohej se Moska do t’i bindte shpejt ukrainasit se mund të ofronte një adresim më të mirë të problemit të korrupsionit, pavarësisht se ky është një problem endemik në Rusi, duke përfshirë varfërimin e dukshëm të territoreve të Donetskut dhe Luganskut që nga viti 2014.

Prandaj, edhe nëse FSB-ja kishte të gjitha të dhënat për ndryshimet sociale dhe për opinionin e qytetarëve ukrainas që nga viti 2006, ajo nuk ka marrë parasysh se sa do të kishte ndikuar një ndryshim epokal, siç është një pushtim i huaj.

Sulmet ajrore, të cilat Putini nuk i ka shfrytëzuar masivisht deri tani, perceptohen negativisht, edhe nëse po synohen vetëm objektiva ushtarakë. Pasojat janë urrejtja ndaj atyre që sulmojnë, dhe një rezistencë akoma më e fortë.

Pjesë e punës së shërbimeve sekrete, është edhe hedhja e hipotezave mbi pasojat e një veprimi dhe dhënia e këshillave më të mira për “vendimmarrësit politikë”. Por një gjë ishte situata në kohën e këtij investigimi, dhe krejtësisht tjetër gjë situata pas pushtimit.

Me sa duket, edhe Drejtoria e Nëntë e FSB-së e kufizoi veten tek hedhja në letër e gjendjes shpirtërore të banorëve në lindje të lumit Dnieper, pa marrë parasysh se si ndiheshin ukrainasit e tjerë në perëndim të këtij lumi dhe në kryeqytetin Kiev.

Këto gafa të mëdha në planifikimin paraprak të sulmit, po e vendosin Putinin në vështirësi të mëdha. Dhe autorët e raportit, shkruajnë se udhëheqësi rus mund të kalojë nga premtimi për qeverisje të mirë në një shtypje të pamëshirëshme. Raporti në fjalë titullohet “Ukraina përmes syve të Rusisë”. Mesa duket drejtuesit e FSB duhet të ndryshojnë okulistin.

“Formiche.net”