Transmetuar më 02-03-2022, 11:31

Nisur nga përmirësimi i situatës epidemiologjike, duke filluar nga data 3 mars do të hiqet ora policore nga ora 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Vendimi u bë i ditur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, I mbledhur ditën e sotme.

“Hiqet ora policore, nga ora 23:00 – 06:00. Por natyrisht ndryshimi i këtyre masave do të shkojë në një përputhje me situatën epidemiologjike. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim dinamikën e kësaj situate duke i’a përshtatur ndryshimin e masave, ndryshimit të këtyre indikatorëve”, tha Prof. Mira Rakacolli, drejtuese e Komitetit Teknik të Ekspertëve. Në fjalën e saj, Rakacolli apeloi për vaksinimin anticovid për të gjithë fëmijët +12 vjeç.

“Tashmë është e qartë që përmirësimi i kësaj situate epidemiologjike vjen në radhë të parë nga procesi i vaksinimit. Në mënyrë që kjo situatë të vazhdojë të mbetet e tillë, në mënyrë që t’i ndalojmë qarkullimin virusit, duhet që të rendim të vazhdojmë me shumë intensitet procesin e vaksinimit, të vazhdojmë të rendim drejt qendrave të vaksinimit, të fillojmë që në moshën 12 vjeç menjëherë fëmijët të fillojnë, natyrisht me konsentin e prindërve, të fillojnë të bëjnë vaksinimin në mënyrë që t’ja dalim kësaj pandemie”, tha Rakacolli.

Duke folur për situatën epidemiologjike Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Dr. Eugena Tomini, tha se këto ditë kanë shënuar përmirësim të të gjithë indikatorëve. “Sa i përket situatës epidemiologjike në vend, është shënuar dhe java me incidencën më të ulët, mesatarja e rasteve javore më të ulët, krahasuar me valët e pikut të Omicron që ishte ne janar të 2022. Referuar të dhënave statistikore të vlerësuara në të njëjtën periudhë të vitit 2021, kemi indikatorët matës në nivel shumë të të ulët”, tha Tomini.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare dr. Skënder Brataj, bëri me dije se ka një rënie të numrit të thirrjeve drejt 127 në javën e fundit. Në mbledhjen e Komiteti Teknik i Ekspertëve, Brataj theksoi se ka gjithashtu një ulje te misioneve COVID.

“Ka një rënie të numrit të thirrjeve tek 127, po ashtu edhe vizitat për COVID. Unë do të jepja vetëm dy të dhëna të 2022 që janë 100,889 thirrje, nga të cilat 24,557 janë vizita dhe nga këto thirrje vetëm për corona janë 5,565. Referuar për tampon janë 1,317 dhe 1,566 janë dërguar në spitale në këto dy muaj të këtij viti. Në 24 orët e fundit sigurisht që është shumë më i ulët numri i thirrjeve 1,256, kemi 303 vizita dhe 101 konsultime, nga të cilat 11 misione covid dhe 8 janë dërguar drejt spitalit”, tha Brataj.

Duke folur për procesin e vaksinimit, eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, profr. Alban Ylli tha: “Në popullatën mbi 16 vjeç kanë bërë të paktën një dozë vaksine 61% e kësaj populate dhe 57% janë plotësisht të vaksinuar. Mos të harrojmë që grupmoshat të cilat ne i konsiderojmë me risk të lartë, që janë ato mbi 60 vjeç, mbulesa vaksinale është shumë më e lartë, është rreth 70%”, tha Ylli, duke shtuar se kemi disa targete kombëtare të cilat jemi duke i arritur gradualisht por mbetet e nevojshme të bëjmë akoma më shumë lidhur me vaksinimin.

Shefja e shërbimit infektiv në QSUT, Najada Çomo duke folur për situatën në spitale, tha: “Referuar një muaji më parë kemi pasur të shtruar rreth 175 pacientë, sot që flasim, numri i pacientëve është 50 të shtruar në spital. Natyrisht që pjesa më e madhe e tyre pra gati 70% e të shtruarve në spital janë forma të rënda. 10% janë forma të rënda dhe kritike”, tha Çomo.

Prof. Gjeorgjina Kuli, shefe e Shërbimit të Pediatrisë Infektive, ka bërë me dije se pas numrit të lartë të shtrimeve të fëmijeve të infektuar në muajin Janar, aktualisht ka një përmirësim të situatës në spitalin pediatrik. Kuli theksoi se vaksinimi i moshave mbi 12 vjeç është tepër i rëndësishëm sepse është një grupmoshë aktive dhe vihen re komplikacione të rëndësishme. “Fundi i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022, përkoi me një rritje të numrit të fëmijëve pozitiv por edhe me rritje të numrit të shtrimeve të fëmijëve të infektuar nga Covid-19, nga komplikacionet. Fatmirësisht, javën e fundit kishim një ulje të numrit të shtrimeve, madje 2 ditët e fundit nuk kemi shtrime të fëmijëve dhe aktualisht 7 fëmijët janë të hospitalizuar, janë në gjendje të qetë në pritje të përfundimit të terapisë. Insistojmë që të konsiderohet vaksinimi i moshave mbi 12 vjeç që ne e kemi rekomanduar sepse është një grupmoshë aktive dhe sigurisht është një grupmoshë që vihen re komplikacione të rëndësishme për shëndetin, madje edhe për jetën”, nënvizoi Kuli.

Masat që mbeten në fuqi për kontrollin e epidemisë në vend janë si vijon: Qytetarët që janë të infektuar me virusin Sars-Cov2 do të qëndrojnë të izoluar për një periudhë 5 ditore. Për të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Shqipëri vazhdon të mbetet në fuqi paraqitja e pasaportës së vaksinimit ose e testit PCR të bërë 72 orë përpara mbërritjes në kufinjtë e Shqipërisë dhe për ata qytetarë shqiptarë që nuk i kanë këto dokumenta vazhdon të mbetet në fuqi izolimi ashtu siç është e rekomanduar. Përjashtim nga ky rregull vazhdojnë të bëjnë vetëm fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

Në aeroporte do të vijojë që të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të vazhdojnë të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sikurse është e rekomanduar. Vazhdon të mbetet në fuqi rekomandimi për mbajtjen e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura dhe aty ku nuk mundet që të respektohet distanca. Vazhdon të mbetet në fuqi masa për grumbullimet nëpër aktivitete kulturore, sportive, nëpër konferenca në masën deri në 30% të kapacitetit të strukturave ku ato zhvillohen. Koha e vaksinimit anticovid ndërmjet dozës së dytë dhe dozës së tretë të vaksinës rekomandohet 5 muaj, ndërsa vaksinimi i fëmijëve rekomandohet për të gjithë fëmijët +12 vjeç.