Transmetuar më 19-02-2022, 16:28

Një zjarr i fuqishë shpërtheu një ditë më parë në tragetin  “Euroferry Olympia”. Disa persona  humbën jetën, disa janë zhdukur, por fatmirësisht shumica u shpëtuan.

Mes gjithë kësaj tragjedie spikat historia njerëzore e një shoferi kamioni nga Greqia, i cili arriti të shpëtojë jo një, por dy herë në një incident të ngjashëm, pasi ka përjetuar edhe tragjedinë detare me anijen “Norman Atlantic” në 2014.

Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Nonta Piperis, pasagjeri që u shpëtua edhe nga “Norman Atlantic” në 28 dhjetor të vitit 2014, kur një zjarr që ka shpërthyer në garazhin e anijes që ishte nisur nga Patra drejt Ankones, u ka marrë jetën 11 personave, ndërsa 18 të tjerë konsiderohen ende të humbur.

“Herën e parë menduam të hidheshim në det. Por kush u hodh nuk doli më. Në këto situata, nuk ka herë të parë dhe të dytë, gjithnjë rreziku është rrezik. Po të thosha që kësaj herë nuk u tremba se kisha kaluar njëherë këtë situatë, do gënjeja”, u shpreh ai.

Këtë herë 52-vjeçari, pasi ka mbërritur në portin e Korfuzit bashkë me 30 të shpëtuar të tjerë, shprehet se nga njëra anë ndjehet me fat që po jeton, por nga ana tjetër mendon se sa e vështire është të mbijetojë profesionalisht, pasi siç shprehet nuk është e lehtë të humbësh dy kamione brenda disa vitesh.

“Sa u përket personave që konsiderohen të humbur dhe thuhet se mund të kenë qenë drejtues kamionësh që flinin në makinat e tyre, shoferi shqiptar Zef Lufi që ka përjetuar tragjedinë e djeshme , dëshmon se pas djegies së anijes ‘Norman Atlantic’ para 8 vitesh shumë pak shoferë e praktikojnë këtë zgjidhje, pasi është e rrezikshme”.