Transmetuar më 12-02-2022, 09:33

Qëndrestare epike përballë dhunës, edhe pse e vetme me një tufë policë përballë, mirditorja Liza Marku e njohur prej të gjithëve si nënë Liza, është në gjithë sa përfaqëson dhe shpreh në gjithkuptimshmërinë e vet vetë NËNA.

Mosha me 78 vitet e jetës së saj, nuk vlen kur i duhet të dëshmojë fuqinë e shpirtit të nënës, teksa i duhet të mbrojë djersën e punës së bijëve; shtëpinë që kanë shkuar t’ia grabisin dhe shembin.

Verbëria e dhunës së pushtetit nuk ia turbullon kthjelltësinë e gjykimit, shprehur përmes një ligjërimi mbresëlënës që mençurisht sfidon edhe deputetët.

Nënë Liza nuk është një “VIP” që e merr famën fabrikuar prej spektakleve të mediokrotetit që shesin në tregun e konsumit mediatik injorancën e veshur me PRADA.

Atë e bëri të famshme halli dhe dhembja e vet. Piskama e kësaj dhembjeje na kumton në fakt hallin e madh të shoqërisë shqiptare.

Ndaj, nëse keni dëgjuar për Tringën a Norën e Kelmendit, nëse keni dëgjuar për Shotë Galicën apo Maro Kondin, nëse keni dëgjuar për nënë Pashakon, Maro Podgozhanin apo Mine Pezën, mos u çudisni që ka edhe një si nënë Liza.

Çdo kohë ka nënën e vet.