Transmetuar më 10-02-2022, 07:30

Hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë në Kosovë. Tarifat janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike. Këto tarifa do të aplikohen deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se subvencionimi i plotë i importit të energjisë me çmimet e larta të tregut aktualisht, është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

“Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit deri 7 herë më shtrenjtë se zakonisht. Në janar vetëm për një ditë kemi paguar 2.5 milionë euro për import. Kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar furnizim të pandërprerë që kriza të mos ndjehej. Muajt dhjetor e janar janë më kritikët. Janë të gjatë e të ftohtë që përcillen me shpenzime të festave të fundvitit e konsum më të lartë të energjisë elektrike. Prandaj jemi kujdesur që gjatë këtyre dy muajve të mos ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët. Por një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe e paqëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtij viti çmimet e importit nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Duhet të importojmë energji dhe kemi hendek të kushtueshëm që duhet ta mbulojmë”, deklaroi Kryeministri kosovar.

ZRRE vendosi bllok-tarifë në 800kWh për muaj. Deri në këtë shpenzim, qytetarët do të paguajnë rrymën sipas çmimit të mëparshëm, ndërsa mbi 800kWh do të preken nga rritja e çmimit.

Qeveria për subvencionim të energjisë ka zotuar 100 milionë euro. Sipas Kurtit, kjo shumë ka mundësuar uljen e çmimit të tarifave, pas propozimit të parë, dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600kWh në 800kWh.

Kurti në mbledhje ka prezantuar edhe disa shembuj të shpenzimeve mesatare dhe ndryshimet nga faturat e vjetra.

Nëse një familje shpenzon 850kWh, me raport 60-40 të tarifës së lartë dhe të ulët, dallimi mes dy faturave do të jetë rreth 2 euro e gjysmë, nga 49.6 në të vjetrën në 52 në të renë. Ata që konsumojnë 1000kWh dallimi është rreth 10 euro, ndërsa dallimi rritet kur konsumi ngrihet.