
Kryeministri Edi Rama është i pranishëm sot në aerportin e Kukësit, ku janë ulur 4 avionë të një kompanie fluturimesh, që pritet të nisin fluturime në 4 destinacione europiane.
Rama tha se qëllimi i tij është të ketë fluturime me çmim ekonomik për Londrën, duke bërë humor dhe me djemtë e Kukësit.
"Nga sot kompania është edhe në Kukës, me 4 destinacione dy herë në javë, që nga Maji do të jenë fluturime të vijueshme, me drejtorin e kompanisë kemi diskutuar dhe për destiniacionin tjetër të rëndësishëm që është Anglia, unë nuk i ndahem Kukësit, sa djemtë londinezë të Kukësit, të kenë fluturime me tarifa krejtësisht simbolike.
Është dita për t’iu thënë atyre që nuk kanë asnjë kapacitet durimi, që punët e mira kërkojnë durim, kemi dëgjuar shumë gjëra pasi e hapën aeroportin, në fund fjalët i merr era dhe punët e mira mbesin. E gjithë kjo zonë ka një të ardhme shumë të mirë, e falenderoj drejtorin që e ka parë Kukësin si mundësi të mirë, se fillimisht ishte skeptikë", tha Rama.
Kryeministri foli dhe për tarifat nga aeroporti i Rinasit.
"Në tërësi rënia e çmimeve të Rinasit është shumë domethënëse, edhe në këtë rast fjalët i mori era për koncensionarin shqiptar. Do të ketë një tjetër ulje të çmimeve për qytetarët, dhe do të ketë një hov tjetër konkurueshmërie, me nismën e qeverisë për të hequr taksën e kufirit", u shpreh më tej kryeministri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





