Transmetuar më 31-01-2022, 19:30

Dy emisarët e SHBA dhe BE Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, mbyllën takimet në Prishtinë. Pasi takuan Kryeministrin Albin Kurti, të tre dolën për të folur për mediat. Përfaqësuesi i BE për dialogun Kosovë-Serbi bëri me dije se biseda e sotme me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani do të ndihmojë në përcaktimin e planeve të ardhshme mes palëve duke lënë të kuptohet se do të ketë takime të tjera me drejtuesit e Kosovës.

Lajçak garantoi mbështetjen e SHBA dhe BE për avancimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për mua është vizita e shtatë për dialog. Por jemi këtu me kolegun Escobar për të dhënë mesazh se BE dhe SHBA punojnë krah për krah për procesin e dialogut. Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar deri të mërkurë për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ai.

Të dy të dërguarit e SHBA dhe BE do të qëndrojnë në Kosovë deri ditën e mërkurë. Diplomati sllovak Lajçak shpreson që deri ditën e mërkurë të ketë rezultate të qartë të bisedimeve mes tyre lidhur me përparimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Shpresoj ta kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi”, bëri me dije ish-ministri i jashtëm i Sllovakisë.

Në vazhdim të fjalës së tij, emisari amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor shtoi se ky rajon duhet të shikohet si anëtar i mundshëm në Bashkimin Europian. Duke u rikthyer te dialogu Kosovë-Serbi, ai shtoi se ky proces duhet të udhëhiqet nga BE.

“Nga perspektiva amerikane, dua të them se SHBA-ja e përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë. Për Kosovën e rajonin, shohim mundësi të jashtëzakonshme. Jeni evropianë, jeni ekonokimisht, në aspekt kulturor dhe historikisht evropianë. Kemi punuar me kolegët evropianë që ta njohin Ballkanin Perëndimor si mundësi të jashtëzakonshme e jo si rrezik. Ne inkurajojmë gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të ardhshëm. Dialogu e ka përkrahjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE”, ka thënë Escobar, ndërsa ka premtuar përkrahjen e plotë të SHBA-së”, deklaroi diplomati amerikan Gabriel Escobar sot në Prishtinë.

Më herët ata takuan presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo u bëri me dje se Serbia është shkaktarja e ngecjes së procesit të dialogut me Kosovën duke mos zbatuar një sërë marrëveshjesh të firmosura me Kosovën dhe për qasjen jokonstruktive ndaj saj.