Transmetuar më 30-01-2022, 11:46

Eksplorime të mëtejshme në shkencën hapësinore në pesë vjetët e ardhshëm

Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi të premten një libër të bardhë të titulluar "Programi hapësinor i Kinës: Një perspektivë e 2021-shit".

Në këtë dokument përmblidhen arritjet e Kinës në shkencën e teknologjinë hapësinore dhe zbatimin e tyre në vitet e fundit dhe planet për 15 vjetët e ardhshëm.

Në të theksohet se Kina do të zhvillojë dialog me Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, si dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse për qeverisjen e hapësirës kozmike.

Që nga viti 2016, Kina ka forcuar infrastrukturën e saj hapësinore, duke përfunduar ndërtimin e Sistemit të Lundrimit Satelitor “BeiDou” (BDS) dhe sistemin e vëzhgimit me qartësi të lartë të Tokës, duke përmirësuar aftësinë e satelitëve dhe ndërtimin e stacionit hapësinor kinez.

Përveç kësaj, Kina është gati të eksplorojë rajonet polare të Hënës dhe po shqyrton mundësinë për një ulje hënore me astronautë.

Kina është zotuar gjithashtu të përmirësojë monitorimin e mbetjeve hapësinore dhe të zgjerojë sistemin e qeverisjes së mjedisit hapësinor me një sistem të mbrojtjes së objekteve afër Tokës dhe një sistem të planifikuar hapësirë-tokë monitorimi të klimës hapësinore.

Në pesë vjetët e ardhshëm Kina do të punojë gjithashtu së bashku me vende të ndryshme, duke përfshirë Italinë, Brazilin dhe Pakistanin, në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë satelitore, sipas librit të bardhë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd