Transmetuar më 23-01-2022, 09:44

Vendosen në pranga 3 shtetas në Tiranë. Ata akuzohet se mbanin në banesë shtetas të huaj.

Policia e Tiranës ka zbuluar një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës. Në këtë banesë mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj. Menjëherë është organizuar një operacion për kapjen e autorëve dhe çlirimin e tyre.

Burime policore bënë me dije se në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.