Transmetuar më 22-01-2022, 20:04

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan çshtë treguar i gatshëm të luajë rolin e negociatorit për një nga konfliktet e përgjakshme që pritet të shpërthejë nga çasti në çast e që mund të ketë pasoja të pariparueshme.

Presidenti turk po planifikon të udhëtojë në Kiev për të zhvilluar bisedime me homologun Volodymyr Zelenskyy.

Duket se Erdogan ka biseduar tashmë edhe me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin. Si Putinit, ashtu edhe Zelenskit i ka bërë edhe një ftesë që të nëse duan, mund të takohen në Turqi si tokë asnjëanëse, e të diskutojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Turqia mbetet e disponueshme për çdo rol… për të ulur tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës. Ne e bëjmë këtë si vend mik i Rusisë dhe Ukrainës, por edhe si një aleat i NATO-s”, tha ai. Ankaraja shprehet se do të mbajë kontakte me rusët për të shmangur çdo lloj aksioni ushtarak. Turqia ruan marrëdhënie të mira me Moskën, por nga ana tjetër i kundërshton politikat ruse në Siri e Libi.

Edhe pse ka krijuar një bashkëpunim të ngushtë në fushën e energjetike dhe mbrojtjes me Rusinë, Ankaraja ruan relata të mira edhe me Ukrainën, të cilën e ka furnizuar me dronë ushtarakë.